Ekonomi
Krizë e rëndë energjetike: Gjini thotë se Kosova po përballet me kolaps, vetëm në shtator u shpenzuan 27 milionë euro për import
Reklamë e Sponsorizuar
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka ngritur alarmin se Kosova po kalon nëpër një gjendje të rëndë të sektorit energjetik, duke theksuar se vetëm përgjatë muajit shtator shpenzimet për importin e rrymës kanë kapur shifrën e rreth 27 milionë eurove. Gjatë një konference për media, ai ka paralajmëruar se vendi rrezikon që së shpejti të detyrohet të importojë energji në vlerë prej së paku dy milionë eurosh në baza ditore, ndërkohë që ka hedhur akuza të forta ndaj ekzekutivit për dështim të qëllimshëm në sanimin e bojlerit të njërit nga blloqeve prodhuese.
Duke e cilësuar situatën si alarmante, Gjini bëri të ditur se subjekti politik që ai përfaqëson do të ndërmarrë hapa konkretë institucionalë, duke kërkuar mbajtjen e një interpelance në Kuvendin e Kosovës gjatë javës së ardhshme për të trajtuar këtë çështje urgjente.
Sipas tij, faturimi i lartë dhe barrët financiare për importin e energjisë bien drejtpërdrejt mbi supet e qytetarëve, qoftë përmes faturave mujore, qoftë përmes mjeteve të ndara nga buxheti shtetëror që mbushen nga taksat e tyre.
"Sot e kemi thirrur në konferencë për shtyp për me e kthy vëmendjen e opinionit të Kosovës te gjendja në të cilën sot është Kosova. Që ndërlidhet me ekonominë, që ndërlidhet pothuajse me gjithçka tjetër, e që ka të bëjë me energjinë elektrike, me energjinë në Kosovë. Më duhet me ju thënë që Kosova, thashë, është në kolaps. Edhe një herë: pas shumë viteve, me një import brutal të energjisë elektrike, me çmime brutale, çmime të cilat në fund të fundit të gjitha paguhen prej xhepave të qytetarëve të Kosovës. E dimë që ka shumë kamuflime, e dimë që shumë çka sikur në raste të tjera, unë e përdor një fjalë “pështjellët” në Kosovë, ama duhet me e potencu pastër. Që do të thotë që paguhet për energji elektrike, del prej xhepave të qytetarëve të Kosovës. Qoftë përmes faturave, qoftë përmes pagesave skandaloze prej buxhetit të Kosovës, për shkak se edhe buxheti i Kosovës, vjen prej xhepave të qytetarëve të Kosovës përmes taksave, të cilat ju merr shteti", deklaroi Gjini.
Në vazhdim të fjalës së tij, zyrtari i lartë i Aleancës ka paraqitur të dhëna krahasuese mes prodhimit vendor dhe kërkesës aktuale, duke bërë të me dije se në momentin e mbajtjes së konferencës, kapaciteti prodhues ishte rreth 372 megavat, ndërsa nevoja e konsumit i kalonte 800 megavatët.
"Duhet me ju thënë që importi i energjisë elektrike deri tash është diku 27 milion euro. Këtë veç shtatorit jemi duke folur, vetëm shtatorin. Duhet me ju thënë që e kemi prodhimin e energjisë elektrike diku në 372 megavat tash e kërkesën në këto momente e kemi mbi 800 megavat. Do të thotë momentet kur nuk pritet me pas shumë kërkesë. Është kërkesë e ulët. Mundet me shku shumë më lart. Që do të thotë po mbërrijmë minimum me importu energji elektrike 2 milion euro në ditë", u shpreh ai.
Në fund, Gjini ka drejtuar akuza të rënda drejt qeverisë, duke pretenduar se tenderi për riparimin e bojlerit është dështuar me vetëdije përmes mbylljes së procedurës pa fitues, çka ka lënë të pasanuar këtë pajisje jetike për prodhimin e rrymës, duke paralajmëruar pasoja të reja financiare dhe teknike gjatë muajve të dimrit.
"Të njëjtat kompani për që licencohen për transport të energjisë elektrike, edhe për mashtrime të tjera janë të njëjtat të njëjtat, prapë janë të njëjtat. Për të cilat edhe mediat edhe ne e kemi folur për një kohë të gjatë. E dini që kurti ka dalë në Kuvend të Kosovës para nja 3 viteve, edhe ju ka mbajtur ligjëratë deputetëve dhe qytetarëve të Kosovës për bojlerat edhe për filterat. E tash po ju tregoj diçka. Këta e kanë dështu me qëllim tenderin e riparimit të bojlerave, bojlerit. I cili ka pas me u riparu deri në fund të këtij viti, e kanë hapur tenderin, e kanë mbyllur tenderin pa fitues, për me i zbulu çmimet e ofertave që është aferë korruptive brutale, kanë marrë ankesa edhe ai bojleri i kurtit është i pariparuar. Që ai i njëjti bojler për të cilin ka folur para nja 2 vjet e gjysmë. Tash çfarë ndodh? Prapë duhet ose në dhjetor ose në janar ose në shkurt prapë duhet me e nxjerrë prej sistemit", përfundoi ai.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: