Politikë
Ardian Gjini shpërthen në kritika: Po e lënë Përparim Grudën vetëm nën autobus, sjellje e turpshme politike
Reklamë e Sponsorizuar
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka adresuar kritika të ashpra lidhur me situatën e krijuar rreth Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke marrë në mbrojtje deputetin e Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda.
I ftuar në emisionin “Context” në ATV, Gjini deklaroi se subjekti i tij e kishte mbështetur me sinqeritet nismën ligjore, por sipas tij, zhvillimet e fundit dëshmojnë se çështja nuk është menaxhuar si duhet, qoftë në rrafshin taktik apo strategjik.
“Kjo që ka ndodhur me të vërtetë është e turpshme. As taktikisht, si çështje ligjore, as strategjikisht, nuk ka kurrfarë lidhjeje me atë që të paktën ne si Aleancë e kemi marrë shumë sinqerisht”, u shpreh ndër të tjera Gjini.
Ai shtoi se ka qenë e ditur që në fillim se ky ligj rrezikonte të kthehej nga njëra prej Dhomave të Gjykatës Kushtetuese të Dhomave të Specializuara, nëse konstatohej se përmban shkelje.
Pos kësaj, kreu i Aleancës e quajti të papranueshme mënyrën se si po trajtohet deputeti Gruda, duke ngritur shqetësimin se ai fillimisht u përdor për të dhënë shpjegime nëpër studio televizive, kurse tani po braktiset për t'u ballafaquar i vetëm me pasojat.
“E nxjerrin nën autobus njeriun që e nxorën nëpër studio me e bë ligjin. Le ta shkelë autobusi”, u shpreh me tone të ashpra Gjini.
Gjatë intervistës, ai shprehu hapur shqetësimin e tij për mungesën e sinqeriteti në skenën politike, si dhe për tendencat e ndryshme për ta shfrytëzuar këtë situatë për përfitime momentale.
Në fund, Gjini nuk la pa kritikuar edhe Qeverinë e Kosovës, duke ia hedhur fajin se vonoi procesin për dy javë të tëra dhe priti momentin e fundit para se ta përcillte ligjin në Kuvend.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: