Politikë
“Miq të fuqishëm më kanë dhuruar orë”, Rama sqaron pasuritë: I kam regjistruar si pasuri shtetërore
Reklamë e Sponsorizuar
Kryeministri Edi Rama, përmes një videomesazhi drejtuar qytetarëve, është ndalur te çështja e dhuratave të pranuara gjatë ushtrimit të funksionit të tij zyrtar, duke theksuar se ato janë të regjistruara rregullisht si pronë e shtetit shqiptar.
Kreu i Qeverisë ka theksuar se paratë, pasuria apo favoret nuk kanë mundur kurrë të ndryshojnë bindjet e tij, ndërsa si qëllim kryesor ka përmendur modernizimin e vendit dhe anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
“Orët më janë dhuruar mua, jo nga kriminelë, por miq të fuqishëm. Ndryshe nga paraardhësi im, që ka përlarë të gjitha dhuratat, unë i kam regjistruar si prona të shtetit shqiptar. Çfarë më vjen mua si kryeministër dhe çfarë më takon, nuk vjen që ta kem për veten time. Unë udhëtoj privatisht. Ose makina ime merret me qira nga qeveria, jo partia”, u shpreh ai.
Më tej, ai pranoi se mund të ketë gabimet e tij, por këmbënguli se integriteti i tij mbetet i paprekur përballë çdo lloj interesi material.
“E them prapë, me siguri unë i kam fajet e mia. Mund të kem më shumë gabime, por kurrë paraja, prona apo favoret e çdo ligji nuk e kanë përkulur dot bindjen time se në këtë rrugë unë jam për të dhënë, jo për të marrë”, shtoi Rama.
Në përmbyllje të mesazhit të tij, kreu i ekzekutivit theksoi vizitën e tij politike dhe ambiciet për të ardhmen e vendit.
“Jam për të bërë histori, jo për të bërë pasuri. Jam për të transformuar Shqipërinë. E dua me flamurin sa më lart, në tryezat sa më të larta. E dua në BE, me drejtësi të pavarur prej meje dhe nga çdo kryeministër pas meje”, deklaroi kryeministri.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: