Sport
Mbrojtja e ujërave dhe ndalimi i eksportit si lëndë e parë, Pacolli tregon planet e reja
Reklamë e Sponsorizuar
Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka njoftuar se përmes Projektligjit për Menaxhimin e Resurseve Ujore synohet themelimi i Agjencisë së Ujërave dhe Rojave të Ujërave, si dhe ndalimi i eksportit të ujit si lëndë e parë.
Përmes një postimi, Pacolli ka bërë të ditur se ka marrë pjesë në mbledhjen e Grupit Punues në Kuvend, ku është shqyrtuar projektligji që synon mbrojtjen e resurseve ujore dhe përafrimin e Kosovës me standardet e Bashkimit Evropian.
Sipas saj, projektligji parasheh krijimin e institucioneve për menaxhimin dhe mbikëqyrjen e ujërave në terren, me qëllim parandalimin e abuzimeve dhe shfrytëzimit të paligjshëm të zhavorrit dhe rërës.
Pacolli ka theksuar se përmes këtij projektligji synohet edhe krijimi i një baze ligjore për menaxhimin e digave ekzistuese dhe ndërtimin e digave të reja, si dhe hapja e rrugës për themelimin e Komitetit të Kosovës për Digat e Mëdha.
Ajo ka shtuar se ndalimi i eksportit të ujit si lëndë e parë synon të nxisë përpunimin vendor, krijimin e vendeve të reja të punës dhe zhvillimin ekonomik.
Ministrja ka theksuar gjithashtu se përmes parimit “Ndotësi Paguan” synohet forcimi i përgjegjësisë së institucioneve dhe ndëshkimi i atyre që ndotin ujërat.
“Uji është trashëgimi kombëtare. Me këtë ligj, ai kalon nën mbrojtje strikte shtetërore”, ka shkruar Pacolli.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: