Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Politikë

Kërcënimet e Serbisë dhe alarmi i Konjufcës, analisti nga Presheva tregon si duhet të veprojë Kosovës

Redaksia Lajmetereja • 19-10-2026 17:21
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Kërcënimet e Serbisë dhe alarmi i Konjufcës, analisti nga Presheva tregon si duhet të veprojë Kosovës
Pretendimet territoriale të zyrtarëve serbë kundër Kosovës, mungesa e drejtësisë dhe llogaridhënies për agresionin e armatosur në Banjskë, si dhe rreziku i përsëritur i destabilizimit të rajonit vazhdojnë të mbeten një sfidë e madhe për integritetin territorial të vendit dhe paqen në Ballkanin Perëndimor. Në një prononcim për publikun, analisti Nehat Hyseni ka vlerësuar se Republika e Kosovës po ballafaqohet me një rrezik real dhe afatgjatë. Sipas tij, kjo situatë kërkon një qasje strategjike të unifikuar, e cila duhet të mbështetet te ngritja e kapaciteteve të sigurisë, diplomacia e fuqishme, sundimi i ligjit dhe bashkëpunimi i ngushtë me partnerët euroatlantikë. Duke analizuar qëndrimet e fundit të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca, lidhur me ambiciet territoriale të Beogradit dhe mungesën e ndëshkueshmërisë për ngjarjet në Banjskë, Hyseni thekson se këto zhvillime nuk duhet të shihen thjesht si fjalë boshe të politikanëve, por as të kuptohen gabimisht si paralajmërim për një konflikt të ri të pashmangshëm. Ai sugjeron që rreziqet të analizohen në tri dimensione kryesore: retorika publike, potenciali ushtarak dhe sjellja reale e mekanizmave shtetërorë. Ndërkohë, ai kërkon që komuniteti ndërkombëtar të ndërmarrë hapa konkretë për të garantuar përgjegjësi penale dhe për të parandaluar çdo tentativë për shpërthim krize. Duke u ndalur te deklaratat skandaloze të zyrtarëve të lartë në Beograd, veçanërisht te pretendimi i Ivica Daçiqit se flamuri i Serbisë herët a vonë do të valëvitet në Prizren, Hyseni vlerëson se kjo gjuhë bie ndesh hapur me parimet e fqinjësisë së mirë dhe përpjekjet ndërkombëtare për normalizimin e raporteve ndërmjet dy shteteve. Analisti shton se kur gjuha nacionaliste mbështetet nga heshtja dhe toleranca politike ndaj elementeve të dhunshme, shqetësimet rreth sigurisë marrin përmasa edhe më alarmante. Sipas tij, pesha e rrezikut matet përmes qasjes së faktorëve politikë, armatimit e kapaciteteve, si dhe veprimeve në terren. “Retorika nacionaliste krijon klimë armiqësore dhe mund të legjitimojë pretendime territoriale. Kapacitetet ushtarake përcaktojnë mundësitë për përdorimin e forcës, ndërsa veprimet konkrete tregojnë nëse deklaratat po shndërrohen në përgatitje për destabilizim”, thekson Hyseni. Ai kujton se sulmi terrorist në Banjskë, i datës 24 shtator 2023, ku u vra heroi dhe polici i Kosovës, Afrim Bunjaku, dëshmoi qartë se sfidat e sigurisë nuk mund të neglizhohen si retorikë e zakonshme politike. Ngjarja në fjalë konfirmoi se destabilizimi mund të shfaqet përmes sulmeve të armatosura nga struktura paramilitare të organizuara, duke shkaktuar dëme të mëdha për rendin dhe ligjin në Kosovë. Megjithatë, Hyseni bën thirrje që të bëhet një dallim i qartë midis mundësisë teorike të përshkallëzimit dhe gjasave reale të ndodhjes së tij. Ai sqaron se incidentet e izoluara në veri apo provokimet e dirigjuara ndryshojnë rrënjësisht nga një agresion i hapur ushtarak i Serbisë, i cili do të prodhonte pasoja të rënda strategjike dhe do të nxishte përgjigjen e menjëhershme të NATO-s. “Rreziku nuk duhet as të minimizohet, por as të dramatizohet. Detyra e institucioneve të Kosovës është të përgatiten për skenarët më të rrezikshëm, pa krijuar panik dhe pa e shndërruar çdo deklaratë politike në parashikim të një lufte të re”, shprehet Hyseni. Në përmbyllje të analizës së tij, ai vë theksin te mungesa e drejtësisë për rastin e Banjskës, duke përmendur faktin se figura kryesore e këtij sulmi, Milan Radoiçiqi, vazhdon të jetë i lirë në territorin e Serbisë, pavarësisht dëshmive të mbledhura.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar