Politikë
Ministria e Brendshme paralajmëron të miturit: Dhuna në protesta nuk falet, përgjegjësia penale nis nga mosha 14 vjeç
Reklamë e Sponsorizuar
Zëvendësministrja e Brendshme, Anisa Ruseti, ka dalë në një konferencë për media ku ka shprehur mirënjohjen ndaj prindërve të cilët iu përgjigjën thirrjes qeveritare për t'i mbajtur larg fëmijët e lor nga tubimet e dhunshme, duke i drejtuar ata drejt bankave të shkollës.
Ruseti ka vënë theksin te fakti se të miturit që zgjedhin të përfshihen në akte dhune gjatë protestave nuk do të mund t'i shpëtojnë ndëshkimit ligjor, pasi mosha e re nuk përbën një përjashtim nga përgjegjësia penale.
"Në emër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, duam t’i drejtohemi me një falënderim të veçantë të gjithë prindërve dhe kujdestarëve, të cilët iu përgjigjën thirrjes sonë për bashkëpunim dhe sot shoqëruan fëmijët e tyre për frekuentimin e rregullt të orëve të mësimit, duke bërë të mund mos përfshirjen e tyre në një protestë ku ekziston rreziku i përplasjeve të dhunshme. Së bashku me mësuesit e tyre, ata bën të mundur që kjo të jetë një ditë normale për ta," u shpreh ajo.
Duke iu referuar zhvillimeve në terren, ajo bëri të ditur se pavarësisht incidenteve të izoluara të dhunës gjatë pasdites, përfshirë edhe sulmin e ndodhur ndaj Gjykatës së Apelit në Tiranë, situata operacionale mbetet e mbajtur nën kontroll, ndërsa strukturat e Policisë së Shtetit vijojnë angazhimin maksimal për ruajtjen e rendit dhe sigurisë.
Megjithatë, ajo shqetësim mbetet përfshirja e vazhdueshme e disa të rinjve në episode të dhunshme. Për këtë arsye, u është përcjellë një mesazh i prerë familjeve dhe vetë protestuesve të rinj mbi pasojat e rënda ligjore. E drejta kushtetuese për të protestuar nuk mund të shërbejë si mburojë për dhunën e ushtruar ndaj qytetarëve apo efektivëve të policisë, për dëmtimin e pronës publike e private, zjarrvëniet, vjedhjet, apo mbajtjen e armëve dhe mjeteve shpërthyese.
Ajo shtoi se opinion publik dhe vetë familjet duhet të jenë të ndërgjegjshëm se statusi i të miturit nuk sjell falje automatike përpara ligjit. Referuar Kodit Penal, mosha e përgjegjësisë për vepra penale fillon në 14 vjeç, ndërsa për kundërvajtjet penale në 16 vjeç. Vlerësimi do të bëhet në mënyrë strikt individuale për çdo person, mbështetur në prova konkrete dhe duke respektuar gjithmonë prezumimin e pafajësisë.
Ruseti garantoi se askush nuk do të mbajë barrë penale për shkak të pranisë së thjeshtë në tubim. Çdo hap i Policisë së Shtetit dhe institucioneve shtetërore do të udhëhiqet nga interesi madhor i fëmijës, e drejta e mbrojtjes dhe respektimi i dinjitetit të tij, me synimin e vetëm për të parandaluar dëmtimin e të miturve dhe përfshirjen e tyre në paligjshmëri.
Në fund të deklaratës, ajo u bëri thirrje të rinjve që ndodhen pranë vatrave të tensionit të shkëputen menjëherë nga dhuna: "Mos lejoni që nxitja e dikujt tjetër, presioni i grupit apo thirrje në rrjetet sociale t’ju çojë drejt veprimeve që mund të rrezikojnë jetën tuaj dhe të të tjerëve! Ushtrojeni të drejtën tuaj për protestë në mënyrë paqësore dhe me përgjegjësi!"
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: