Kronikë
Zvarritet procesi gjyqësor për sulmin në “Ibër-Lepenc”: Mungesa e prokurorit shtyn seancën
Reklamë e Sponsorizuar
Gjykimi lidhur me sulmin terrorist në infrastrukturën e kanalit të ujit “Ibër-Lepenc” është ndërprerë këtë të premte, pasi prokurori përgjegjës i çështjes, Bekim Kodraliu, nuk ka qenë i prezentuar në sallë.
Në vend të tij, në seancë është paraqitur prokurori zëvendësues, Armen Zenelaj, i cili ka marrë fjalën për t'i kërkuar trupit gjykues shtyrjen e seancës dhe caktimin e një orari tjetër për shqyrtimin e çështjes.
Ky veprim është kundërshtuar ashpër nga ekipi mbrojtës i të pandehurve, të cilët kanë manifestuar hapur pakënaqësinë e tyre. Avokatët mbrojtës kanë theksuar se për këtë seancë kishin punuar e ishin përgatitur intensivisht për javë të tëra, duke siguruar madje edhe praninë e dëshmitarëve.
Pavarësisht kundërshtimeve të mbrojtjes, trupi gjykues i udhëhequr nga kryesuesi Vesel Ismaili ka vendosur të aprovojë kërkesën e paraqitur nga prokurori zëvendësues.
Ndërkohë, data për mbajtjen e seancës së ardhshme mbetet e pacaktuar. Gjyqtari Ismaili ka njoftuar se shumë shpejt do të dalë në pension, fakt ky që do të sjellë ndryshime të pashmangshme në përbërjen e trupit gjykues që do të merret me këtë rast.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: