Kronikë
Tragjedi në Padova: Humb jetën në mënyrë tragjike shqiptari Altin Kokici, ra në boshtin e ashensorit gjatë punës
Reklamë e Sponsorizuar
Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin shqiptar në Itali, ku një 51-vjeçar ka humbur jetën tragjikisht në një kantier ndërtimi në Padova. Viktima e këtij aksidenti fatal është identifikuar si shtetasi shqiptar Altin Kokici.
Sipas të dhënave nga mediat italiane, trupi i pajetë i shqiptarit u gjet në orët e vona të natës mes të mërkurës dhe të enjtes, në një ndërtesë ku po kryheshin punime rikonstruksioni. Dyshohet se 51-vjeçari ka rënë aksidentalisht në hapësirën e boshtit të ashensorit dhe plagët e marra nga rënia i kanë shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Alarmi për zhdukjen e tij u ngrit nga familjarët, të cilët u shqetësuan pasi nuk po arrinin të kontaktonin me të që prej fillimit të pasdites. Përmes aplikacioneve të lokalizimit në telefonat e tyre, të afërmit konstatuan se vendndodhja e tij rezultonte ende brenda zonës së kantierit të ndërtimit. Dyshimet u shtuan edhe më shumë kur panë furgonin e tij të parkuar pranë ndërtesës, me bagazhin ende të hapur.
Pasi hynë në ambientet e objektit, forcave të policisë u mjaftoi t'i telefononin celularit të 51-vjeçarit. Tingulli i ziles i drejtoi oficerët drejt boshtit të ashensorit, ku fatkeqësisht u zbulua trupi pa jetë i Kokicit. Autoritetet lokale kanë nisur hetimet për të zbardhur dinamikën e plotë dhe shkaqet e këtij aksidenti të rëndë në punë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: