Aktuale
Mbingarkesa në gjimnazet e Prishtinës: Mungesa e kabineteve të informatikës lë nxënësit pa praktikë
Reklamë e Sponsorizuar
Nxënësit e gjimnazit “Ahmet Gashi” në kryeqytet po vijojnë procesin mësimor pa pasur mundësi që njohuritë e tyre në fushën e teknologjisë t'i vënë në zbatim përmes pajisjeve kompjuterike. Pasi gjimnazi “Eqrem Çabej” u vendos në të njëjtën ndërtesë, kjo shkollë humbi dy kabinetet e informatikës dhe hapësirat e nevojshme për orët praktike të disa lëndëve të tjera. Trupa mësimore thekson se kjo situatë pengon rritjen e aftësive digjitale të nxënësve, ndërkohë që autoritetet komunale premtojnë një riorganizim të ambienteve sapo të përfundojnë ndërtimet e shkollave të reja.
Në këtë institucion arsimor, mësimi për teknologjinë zhvillohet kryesisht në mënyrë teorike. Ish-kabinetet e informatikës tashmë nuk funksionojnë, dhe orët e kësaj lënde mbahen në klasa standarde, duke u mbështetur kryesisht te përdorimi i projektorit. Kjo sfidë lindi tri vite më parë, pas vendimit të Drejtorisë Komunale të Arsimit për të bashkuar dy gjimnaze në një objekt të vetëm.
Për arsimtarët, kufizimi i hapësirave nuk paraqet vetëm një komoditet të munguar, por një pengesë direkte në cilësinë e mësimdhënies.
“Në një kohë kur tregu i punës po avancon vazhdimisht, sidomos në fushën e teknologjisë dhe përdorimit të inteligjencës artificiale, ne përballemi me sfida elementare, sepse nuk posedojmë fare kabinet të informatikës. Lënda e informatikës zhvillohet në klasë të zakonshme, njësoj sikurse lëndët e tjera”, deklaroi Gentijana Loshaj, profesoreshë e informatikës.
Sipas saj, institucioni arsimor nuk po arrin t'u sigurojë nxënësve kushtet minimale për zhvillimin e shkathtësive digjitale.
“Sa u përket kurseve dhe trajnimeve private që ata i ndjekin, janë të përgatitur, por ne si shkollë nuk mund të ofrojmë asgjë. Dihet se të gjitha mësimet shtesë kanë kosto financiare për prindërit, e cila mund të kalojë 100 euro në muaj”, u shpreh Loshaj.
Në ndërtesën ku dikur ushtronte veprimtarinë vetëm gjimnazi “Ahmet Gashi”, sot zhvillojnë mësim dy institucione të ndryshme. I pari numëron 30 paralele, ndërsa gjimnazi “Eqrem Çabej” edhe 18 të tjera. Kjo përbën gjithsej 48 paralele, të cilat zhvillojnë mësimin e organizuar në dy ndërrime.
Drejtori i gjimnazit “Ahmet Gashi” vlerëson se ky bashkim ka sjellë mbingarkesë të ndërtesës, duke i privuar nxënësit nga kushtet e përshtatshme jo vetëm për TIK, por edhe për lëmi të tjera.
“Tash, me ardhjen e tyre, është ngushtuar hapësira për zhvillimin e procesit mësimor, posaçërisht për lëndët e TIK-ut, ku kemi mungesë të kabineteve të informatikës dhe, si mësimdhënës të TIK-ut, orën e realizojmë vetëm me projektor. Domethënë, ne i kemi pasur dy kabinete, tani nuk e kemi asnjë kabinet. Pastaj kemi nevojë për kabinet të muzikës, të artit figurativ, të cilat tash nuk i kemi. Nuk kemi as kabinete të fizikës, kimisë dhe biologjisë, të cilat dikur shkolla i ka pasur”, u shpreh drejtori.
Kufizimet hapësinore përbëjnë shqetësim edhe në shkolla të tjera të kryeqytetit, fakt ky që pranohet hapur nga drejtori i Arsimit në Prishtinë, Arianit Elshani.
“Jemi duke punuar dhe aktualisht janë disa vendpunishte të hapura për ndërtimin e shkollave të reja. Fatmirësisht, një zgjidhje konkrete do të mundësojë lirimin e hapësirave në Tophane, pasi një pjesë e nxënësve do të bartet në shkollën e re. Kjo do ta mundësojë riorganizimin e hapësirave ekzistuese dhe zhvendosjen e fëmijëve në ambiente të tjera shkollore”, theksoi Elshani.
Deri në konkretizimin e projekteve për ambiente të reja shkollore, nxënësit e gjimnazit “Ahmet Gashi” do të vijojnë të përballen me kufizimet, duke e studiuar informatikën kryesisht përmes qasjes teorike.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: