Kronikë
Koalicioni VLEN drejton pesë pyetje të hapura për Ali Ahmetin dhe BDI-në lidhur me Gjykatën Speciale
Reklamë e Sponsorizuar
Ndjenja e zhgënjimit ndaj vendimit gjyqësor për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin është e përbashkët dhe thellësisht e ndjerë nga të gjithë.
Pavarësisht çfarëdo aktgjykimi, një fakt mbetet i palëkundur: lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e drejtë, çlirimtare dhe e mbrojtjes ndaj një regjimi gjakatar që terrorizoi, dëboi dhe masakroi popullsinë kosovare. Këtë realitet historik e njohin mirë Kosova, mbarë kombi shqiptar dhe faktori ndërkombëtar që ndërhyri për t'i dhënë fund krimeve të Millosheviqit.
Pavarësisht kësaj ngjarjeje kaq të ndjeshme kombëtare, Bashkimi Demokratik për Integrim vazhdon të përpiqet të përfitojë për qëllime të ngushta partiake. Shqiptarët e njohin mirë historikun e tyre dhe dëshmitë e kaluara tregojnë se nuk kanë lënë kauzë pa keqpërdorur për interesa politike.
Madje, edhe nisma e paralajmëruar për marshim, e sponsorizuar nga kjo parti, po mundohet të paraqitet në mënyrë manipulative gjoja si tubim mbipartiak.
Nëse vërtet ekziston një vullnet i sinqertë për të protestuar në mbrojtje të ish-drejtuesve të UÇK-së, atëherë shënjestra e revoltës duhet të jetë vetë BDI-ja dhe veprimi politik i kryetarit të saj, Ali Ahmeti.
UÇK-ja nuk është pronë ekskluzive e askujt dhe nuk mund të shërbejë asnjëherë si mbulesë apo alibi për të mbuluar dështimet dhe mëkatet politike.
Prandaj, në vend të thirrjeve për protesta, nga ana e atyre që dikur kanë lobuar për krijimin e Gjykatës Speciale, sot kërkohen llogaridhënie dhe përgjigje publike pa dorëza.
Cilat kanë qenë pazaret politike të ofruara në shkëmbim të mbështetjes për themelimin e Dhomave të Specializuara?
Çfarë fshihet brenda dosjeve të Hagës që lidhet drejtpërdrejt me dëshminë e dhënë nga Ali Ahmeti?
A ka ndonjë lidhje apo emërues të përbashkët mes Dhomave të Specializuara dhe nismës rajonale të njohur si “Ballkani i Hapur”?
Për çfarë arsye Ali Ahmeti ka ndryshuar vazhdimisht qëndrimin e tij rreth rolit në këtë proces gjyqësor, duke u deklaruar herë si dëshmitar e herë duke e mohuar një gjë të tillë?
A ka shërbyer dëshmia e tij si gurthemel për ngritjen e aktakuzave nga Gjykata Speciale kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës?
Këto dilema madhore dhe shumë pikëpyetje të tjera vazhdojnë të kërkojnë përgjigje nga ata që kanë shfrytëzuar çdo situatë për përfitime politike.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: