Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Politikë

Zgjedhjet në Serbi: Kosova rikthehet në qendër të fushatës përmes akuzave nacionaliste

Redaksia Lajmetereja • 17-10-2026 19:01
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Zgjedhjet në Serbi: Kosova rikthehet në qendër të fushatës përmes akuzave nacionaliste
Teksa Beogradi po i afrohet zgjedhjeve parlamentare, çështja e Kosovës është shndërruar sërish në një nga elementët kryesorë të retorikës politike. Si forcat në pushtet ashtu edhe opozita po shfrytëzojnë këtë temë kryesisht për përplasje, duke anashkaluar zgjidhjet praktike për rifillimin e dialogut me Prishtinën dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe Ohër. Sipas vlerësimeve të ekspertëve, autoritetet aktuale po e shfrytëzojnë Kosovën si mjet për të minuar mbështetjen publike ndaj Listës Studentore, e cila paraqitet si sfiduesja e tyre kryesore në këtë garë elektorale. “Ajo që kemi vërejtur gjatë përcjelljes së fushatës është se Kosovën më së shpeshti e përdor pushteti në fushatën negative kundër studentëve, me pretendimin se ata do ta njohin pavarësinë e Kosovës. Në këtë mënyrë përpiqet të largojë një pjesë të votuesve me orientim më nacional nga Lista Studentore”, u shpreh Sofija Popovbiq, nga portali *European Western Balkans*. Në arenën politike, pozicionet mbeten të pandryshuara. Ndërkohë që qeveria dhe Lista Studentore mbështeten te dispozitat e Kushtetutës së Serbisë, formacionet e ndryshme nacionaliste kërkojnë që Beogradi të tërhiqet plotësisht nga marrëveshjet e Brukselit. Nga ana tjetër, një qasje krejtësisht ndryshe sjell koalicioni opozitar “Serbia Evropiane”, i cili synon integrimin e vendit në Bashkimin Evropian dhe vendosjen e marrëdhënieve normale me Kosovën. “Ne kemi dokumente të miratuara në Kuvend dhe duhet të veprojmë në përputhje me to. Duhet të liberalizojmë tregtinë, udhëtimet, arsimin, sportin e kështu me radhë. Për mua kjo është çështje njerëzore, jo çështje shtetësie”, theksoi Goran Jeshiq, përfaqësues i Koalicionit “Serbia Evropiane”. Përtej polemikave politike në kryeqytetin serb, një peshë të veçantë mbajnë edhe votat e komunitetit serb që jeton në Kosovë. Më 25 tetor, këta votues do t'u drejtohen kutive të votimit në vendet kufitare si Rashkë, Vranjë, Kurshumli dhe Tutin. Pavarësisht rezultatit, ekzekutivi i ardhshëm në Beograd do të përballet menjëherë me detyrimet që rrjedhin nga procesi i dialogut. Për Kosovën dhe gjithë rajonin, dilema kryesore mbetet nëse pas zgjedhjeve do të ndryshojë vetëm gjuha e përdorur nga politikanët, apo do të ketë një kthesë reale në qasjen e Beogradit zyrtar.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar