Politikë
Tensione dhe përplasje në Tiranë: Sali Berisha kërkon dorëheqjen e Ramës dhe bën thirrje për mosbindje civile
Reklamë e Sponsorizuar
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ndërmarrë një hap të ri politik duke u bërë thirrje qytetarëve nga rrethet që të bashkohen në një valë mosbindjeje civile dhe të udhëtojnë drejt kryeqytetit, ndërkohë që protestat kundër qeverisë në vend po zhvillohen mes tensioneve të larta dhe incidenteve me forcat e rendit.
Gjatë një konference për shtyp të zhvilluar mbrëmjen e sotme, lideri i opozitës theksoi se mobilizimi i përgjithshëm është thelbësor për t'i dhënë mbështetje të fuqishme të rinjve që po udhëheqin protestat.
“Mosbindje civile është ndihma më e çmuar për studentët luftëtarë, për studentët dhe gjimnazistët, heronj të vërtetë. Ndërsa qytetarët që mund të vijnë në Tiranë nesër, të vërshojnë drejt kryeqytetit. Këtu është sheshi ku fitorja do të firmoset nga qytetarët shqiptarë”, u shpreh Berisha, duke shtuar se “këtij regjimi të urryer do t’i dridhet toka nën këmbë”.
Përveç thirrjes për mosbindje civile, kreu i PD-së ka kërkuar largimin e menjëhershëm të kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar këtë si zgjidhjen e vetme për daljen nga ngërçi politik.
“Njofto një minutë e më parë dorëheqjen. Jep dorëheqjen, hapi rrugën zgjidhjes së denjë për një vend anëtar në Bashkimin Evropian”, deklaroi ai.
Këto deklarata vijnë në përmbyllje të ditës së pestë të protestave në Tiranë, të cilat janë karakterizuar nga përleshje të ashpra mes tubuesve dhe efektivëve të policisë, duke lënë pas persona të lënduar nga të dyja palët.
Tensionet më të mëdha u shënuan në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në afërsi të Kryeministrisë, ku pjesëmarrës të maskuar hodhën mjete piroteknike, kokteje molotovi dhe gurë në drejtim të forcave të sigurisë.
Në shenjë kundërpërgjigjeje, policia është detyruar të ndërhyjë duke përdorur autobotë me ujë dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën e protestuesve.
Vala e protestave ka përfshirë tashmë Tiranën dhe rajone të tjera të Shqipërisë, ndërsa thirrja e re e Berishës paralajmëron zhvillime edhe më të nxehta për tubimet e ardhshme.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: