Politikë
Fushata në Serbi: Çështja e Kosovës rikthehet në fokusin e përplasjeve nacionaliste para zgjedhjeve
Reklamë e Sponsorizuar
Ndërsa Serbia po i afrohet zgjedhjeve parlamentare, Kosova është shndërruar sërish në një nga temat kryesore të fushatës, e cila dominohet kryesisht nga mesazhe nacionaliste dhe akuza të ndërsjella politike. Si forcat në pushtet ashtu edhe opozita po përsërisin narrativat tradicionale, pa paraqitur ndonjë alternativë apo zgjidhje të prekshme për ecurinë e dialogut me Prishtinën dhe për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe Ohër.
Sipas vlerësimeve të analistëve, udhëheqja aktuale po e shfrytëzon çështjen e Kosovës si mjet për të minuar mbështetjen publike ndaj Listës Studentore, e cila konsiderohet si sfiduesja e tyre kryesore në këtë garë elektorale.
“Ajo që kemi vërejtur gjatë përcjelljes së fushatës është se Kosovën më së shpeshti e përdor pushteti në fushatën negative kundër studentëve, me pretendimin se ata do ta njohin pavarësinë e Kosovës. Në këtë mënyrë përpiqet të largojë një pjesë të votuesve me orientim më nacional nga Lista Studentore”, u shpreh Sofija Popovbiq nga European Western Balkans.
Pozicionet e partive politike mbeten kryesisht të pandryshuara. Përfaqësuesit e pushtetit dhe Lista Studentore vazhdojnë t'i referohen Kushtetutës së Serbisë, ndërkohë që disa subjekte nacionaliste insistojnë hapur në tërheqjen nga marrëveshjet e Brukselit. Në krahun tjetër, koalicioni opozitar “Serbia Evropiane” paraqet një qasje të ndryshme, duke kërkuar integrimin e Serbisë në Bashkimin Evropian dhe vendosjen e marrëdhënieve normale me Kosovën.
“Ne kemi dokumente të miratuara në Kuvend dhe duhet të veprojmë në përputhje me to. Duhet të liberalizojmë tregtinë, udhëtimet, arsimin, sportin e kështu me radhë. Për mua kjo është çështje njerëzore, jo çështje shtetësie”, deklaroi Goran Jeshiq nga Koalicioni “Serbia Evropiane”.
Përveç shfrytëzimit në retorikën e ditës, një peshë të veçantë në këto zgjedhje e ka edhe elektorati i serbëve të Kosovës. Më 25 tetor, qytetarët me të drejtë vote do t'u drejtohen kutive të votimit në qendrat e vendosura në Rashkë, Vranjë, Kurshumli dhe Tutin.
Kryeministri apo qeveria që do të dalë nga këto zgjedhje në Beograd do të përballet menjëherë me detyrimet që rrjedhin nga procesi i dialogut. Për Kosovën dhe mbarë rajonin, dilema kryesore mbetet e hapur: a do të ndryshojë pas zgjedhjeve vetëm toni i fjalorit politik, apo do të ketë një kthesë reale edhe në qasjen strategjike të Beogradit zyrtar ndaj Kosovës?
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: