Ekonomi
Gjini shpalos platformën e Aleancës: Vendit i duhen politika zhvillimore dhe ekonomi e fortë
Reklamë e Sponsorizuar
Në një takim të gjerë me strukturat organizative, Aleanca ka prezantuar vizionin dhe strategjinë e saj politike për zhvillimin e gjithanshëm të Kosovës, duke u bërë thirrje qytetarëve për një qasje të re drejt së ardhmes.
Kryetari i kësaj partie, Ardian Gjini, theksoi se formacioni i tij politik po bën përgatitjet e duhura për marrjen e qeverisjes përmes qasjes së djathtë. Sipas tij, fokusi kryesor do të vendoset te ngritja e standardit jetësor, përmirësimi i infrastrukturës shkollore e shëndetësore, zhvillimi i hovshëm i forcave ushtarake, si dhe ndalimi i valës së emigrimit të të rinjve.
Gjini vuri theksin te rëndësia e ndërtimit të një mjedisi të sigurt dhe bashkëpunues, ku qytetarët e shohin njëri-tjetrin si partnerë dhe jo si kundërshtarë, duke kërkuar gjithashtu integrim më të fuqishëm ndërkombëtar për vendin.
“Na duam siguri që nënkuptohet të ndihemi të sigurt në vendin tonë, jo vetëm fizikisht, por edhe për të ardhmen tonë, të ardhmen e fëmijëve tanë, ta parashikojmë këtë të ardhme dhe ta dimë që kjo e ardhme mund të sjellë vetëm të mira. Ne duam paga më të larta, sikur gjithë të tjerët, për gjithë popullin tonë, duam pensione më të larta, duam shkolla më të mira, duam spitale më të mira, rrugë më të mira, duam ushtri më të fortë, duam pasaportë më të fuqishme, duam dalje të emigrimit masiv të rive edhe të rejave tona, duam të mos e urrejmë njëri-tjetrin, ta shohim bashkëqytetarin tonë si vëlla, si motër, si bashkëpunëtor, si mik, pavarësisht bindjeve politike, e jo ta shohim njëri-tjetrin si armik, duam me qenë të respektuar dhe të pranuar plotësisht në bashkësinë ndërkombëtare”, deklaroi ai.
Duke analizuar realitetin aktual socio-ekonomik, kreu i Aleancës ngriti shqetësimin se drejtimi aktual i shtetit po e largon atë nga standardet e dëshiruara të zhvillimit dhe mirëqenies.
“Po tash, tema është çka po ndodh në Kosovë: a jemi pranë asaj që të kemi shkolla më të mira, ushtrinë më të mirë, spitalet më të mira, rrugët më të mira, rrogat më të mëdha, pensionet më të mëdha apo jemi duke u larguar? Sa herë që flasim për politikë, nuk mund të mos krahasojmë, nuk mund të mos e bëjnë një prerje të gjendjes në të cilën jemi”, shtoi Gjini.
Një kritikë e veçantë iu drejtua shifrave alarmante të deficitit tregtar në vend, duke përmendur si shembull absurd faktin se Kosova vazhdon të importojë gurë dhe zall nga Serbia fqinje.
“Derisa deficiti tregtar, vetëm në Kosovë u rrit, e në krejt vendet tjera të rajonit, deficiti tregtar me vendet tjera ka ra, në secilin prej vendeve, pa i përmend tash mos me ju lodh fort juve, vetëm në Kosovë është rrit edhe në terma absolutë, që do të thotë si vlerë, edhe në terma relativë, që do të thotë si përqindje. Në të dyja. Vetëm ne kemi 30,3 bruto produktit vendor deficitin tregtar. E pse ka ndodh tash ky deficit tregtar? Pse u rrit kaq shumë? Që po ju tregoj sa thjesht është: për shkak se këta na kanë bërë të blejmë zall në Serbi, edhe që blejmë, ja është, ok, zall, gurë, jam lodhur duke e përmend, nuk e di a jam duke depërtuar te secili qytetar i Kosovës. Çka domethënë për një shtet që “është krejt gur”, t’i vijë puna që të blejë zall e gurë në Serbi”, u shpreh ai.
Ky takim shërben si fillimi i një cikli të ri të mobilizimit të strukturave partiake në të gjitha degët, me qëllim të përgatitjes për sfidat e ardhshme politike në Kosovë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: