Sport
Kukësi ndal Besën me dygolëshin e Alisonit, Flamurtari shkëlqejnë në derbi me Orikun
Reklamë e Sponsorizuar
Këtë të shtunë janë zhvilluar dy takimet e vlefshme për javën e gjashtë të Kategorisë së Parë, të cilat kanë sjellë emocione dhe ndryshime në renditje.
Në sfidën kryesore, Kukësi ka triumfuar me rezultatin e pastër 2-0 ndaj njërës prej skuadrave pretendente, Besës. Heroi i këtij takimi për verilindorët u bë sulmuesi brazilian Alison, i cili shkëlqeu me dy gola në një fushë të vështirë për shkak të lagështirës. Ai kaloi skuadrën e tij në avantazh gjatë fraksionit të parë të lojës përmes një goditjeje të saktë në hyrje të zonës.
Në minutën e 80-të, Kukësi fitoi një 11-metërsh, të ekzekutuar me sukses po nga Alison, i cili vulosi fatin e ndeshjes. Për ekipin e drejtuar nga trajneri Bledi Kadiu kjo është një fitore me vlera të mëdha për vazhdimësinë, ndërsa për Besën e drejtuar nga Gugash Magani kjo shënon humbjen e dytë sezonale.
Në krahun tjetër, Flamurtari ka arkëtuar një tjetër fitore radhazi, kësaj radhe duke dominuar 1-4 në transfertën ndaj Orikut. Vlonjatët e nisën vrullshëm derbin, duke e mbyllur çështjen e fituesit që në 45-minutëshin e parë falë dy penalltive të shndërruara në gol nga Berisha dhe Barry Arevalo.
Në pjesën e dytë, Barry Arevalo realizoi sërish, ndërsa rrjeta e katërt u shënua nga Keneth. Për vendasit e Orikut, të cilët vazhdojnë të mbyllin renditjen, ishte Llojaj ai që gjeti rrugën e rrjetës me penallti, duke shënuar golin e nderit.
Falë këtij suksesi të thellë, Flamurtari ngjitet në vendin e tretë të tabelës me 9 pikë, duke barazuar Kukësin dhe Bylisin, me këtë të fundit që do të luajë ndeshjen e tij ditën e nesërme.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: