Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Ekonomi

Rrezikohet 'Prishtina 2030', Rama tregon ngecjen e përgatitjeve dhe mosmarrjen e garancisë bankare

Redaksia Lajmetereja • 16-10-2026 11:21
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Rrezikohet 'Prishtina 2030', Rama tregon ngecjen e përgatitjeve dhe mosmarrjen e garancisë bankare
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka ngritur alarmin mbi ngecjet shqetësuese në procesin e përgatitjeve për pritjen e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, duke bërë me dije se garancia bankare e kërkuar që prej muajit janar ende nuk është shlyer dhe se afatet institucionale janë shkelur në mënyrë të përsëritur. Gjatë një konference për mediat, Rama ka adresuar kritika të forta lidhur me mënyrën e administrimit të detyrave organizative, duke kërkuar llogaridhënie nga ana e institucioneve për vonesat që, sipas tij, rrezikojnë seriozisht këtë ngjarje të jashtëzakonshme sportive për vendin. Kreu i kryeqytetit ka bërë të ditur se nuk janë realizuar në kohë hapat e nevojshëm për funksionalizimin e organeve organizative, hartimin e masterplanit, përcaktimin e buxhetit dhe procedurat e tjera paraprake që kërkon ky organizim ndërkombëtar. Sipas shpjegimeve të tij, Grupi Ndërkombëtar për Monitorimin e Lojërave Mesdhetare (ICMG) pati kërkuar që takimi hyrës i Komitetit Organizativ të zhvillohej jo më vonë se data 15 korrik, ndërsa i njëjti u realizua vetëm më 4 gusht. Ai shtoi se afatet e caktuara për datat 27 qershor, 15 korrik dhe 12 gusht janë shkelur haptazi. “Garancia bankare e kërkua që nga janari nuk është paguar. Për me tepër afatet për funksionalizimin e strukturave organizative, përgatitjet e masterplanit, buxhetit dhe proceseve tjera janë shkelur vazhdimisht. ICMG kishte kërkuar që mbledhja inaugurese i Komitetit Organizativ të mbahej deri më 15 korrik. Ajo u mbajt vetëm me 4 gusht. Afatet e përcaktuara me 27 qershor, 15 korrik dhe 12 gusht nuk u respektuan. Ne si kryeqytet nuk kemi qëndruar në heshtje. Kemi kërkuar takime dhe mbledhje urgjente të bordit drejtues për t’i trajtuar kërkesat e ICM dhe për të marrë vendimet e nevojshme. Kryeministri Albin Kurti në cilësinë e kryesuesit të bordit drejtues ka përgjegjësinë për thirrjen e mbledhjeve dhe koordinimin e vendimmarrjes. Pas 4 gushtit, mbledhja e radhës nuk është thirrur. Më 30 shtator duke e parë seriozitetin e situatës, kryeqyteti mori iniciativën për thirrjen e një mbledhje të jashtëzakonshme me 8 tetor. Sipas statusit, nga 13 anëtarët e bordit, kërkoheshin të paktën 5 nënshkrime. 3 përfaqësuesit e kryeqytetit e nënshkruan kërkesën. Përfaqësuesit e qeverise dhe Komitetit Olimpik të Kosovës nuk iu përgjigjën ftesës për nënshkrim. Si rezultat mbledhja nuk u mbajt. ICMG ka përcaktuar afate të reja për përmbushjen e detyrimeve duke filluar nga 30 tetori, për të vazhduar me 1 dhe 15 dhjetor 2026 dhe më 1 mars 2027. Më 19 dhjetor 2026 do të shqyrtohet e ardhmja e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”. Nuk kemi kohë për heshtje institucionale. Sot kërkojmë përgjigje të qarta. Pse nuk janë përmbushur detyrimet financiare? Pse nuk është dërguar garancia e kërkuar? Pse nuk janë thirrë mbledhjet e bordit drejtues? Kush do ta marrë përgjegjësinë nëse Kosova u humb këtë mundësi historike?”, u shpreh Rama para gazetarëve. Lojërat Mesdhetare të vitit 2030 përfaqësojnë një ndër organizimet më madhore në historinë e sportit kosovar, të cilën shteti synon ta presë me sukses.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar