Aktuale
Tronditet Kruja pas mesnate: Shpërthim tronditës me lëndë plasëse në një optikë, dëme të konsiderueshme materiale
Reklamë e Sponsorizuar
Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Krujës gjatë orëve të para të mëngjesit, rreth orës 02:00, kur një shpërthim i fuqishëm me lëndë plasëse ka vënë në shënjestër një dyqan optike. Biznesi i dëmtuar është në pronësi të okulistit në pension, Petrit Rroshi. Përveç dëmeve të konsiderueshme materiale të shkaktuara në vetë ambientet e optikës, forca e shpërthimit ka lënë pasoja edhe në disa biznese dhe banesa që ndodhen në afërsi të vendngjarjes.
Nga kjo ngjarje janë shkaktuar dëmtime materiale edhe në zyrat e Njësisë Vendore të Shërbimit të Kujdesit ndaj Shëndetit, e cila ndodhet në mure të përbashkëta me dyqanin e sulmuar nga autorët.
Të dhënat e para nga hetimet ngrenë dyshime se ky sulm mund të shërbejë si një mesazh i drejtuar kompanisë “Max optika”. Kjo hipotezë mbështetet në faktin se vetëm tri ditë më parë një incident identik ndodhi në qytetin e Fierit, ku u vu në shënjestër me eksploziv një tjetër pikë shitjeje e së njëjtës markë.
Struktura e posaçme e policisë ka sekuestruar dhe po analizon pamjet e regjistruara nga kamerat e sigurisë së bizneseve përreth. Nga kqyrja paraprake e tyre, dyshohet se autori ka vepruar i maskuar, duke u afruar në këmbë pranë dyqanit për të vendosur lëndën plasëse dhe është larguar në të njëjtën mënyrë. Blutë vijojnë hetimet intensive për të bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorit, si dhe për të zbardhur plotësisht motivet e këtij sulmi.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: