Aktuale
Lojërat Mesdhetare 2030 në rrezik? Përparim Rama del sot në një konferencë të jashtëzakonshme për media
Reklamë e Sponsorizuar
Kryeqyteti do të jetë në qendër të vëmendjes sot, teksa i pari i Prishtinës, Përparim Rama, do të dalë para gazetarëve për të diskutuar mbi sfidat dhe hapat e mëtutjeshëm rreth organizimit madhështor të Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.
Takimi me mediat do të nisë në orën 12:00 dhe do të zhvillohet në ambientet e sallës së konferencave në objektin e vjetër të Komunës së Prishtinës.
Kjo konferencë vjen menjëherë pas alarmit të dhënë një ditë më parë nga vetë Rama, i cili bëri publike një letër të ardhur nga Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare (ICMG), ku paralajmërohej rreziku real që vendi ynë të humbasë mundësinë e pritjes së kësaj ngjarjeje ndërkombëtare sportive.
Ky zhvillim nxiti menjëherë kundërpërgjigjen e ministrit të Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, i cili hodhi poshtë çdo dyshim duke siguruar se shteti do t'i japë jetë këtyre garave dhe se ekzekutivi mbetet garantuesi kryesor i suksesit të tyre.
Nëpërmjet një reagimi në rrjetet sociale, ministri Gashani e vuri në shënjestër kryetarin e Prishtinës për shkak të publikimit të shkresës zyrtare, duke e cilësuar atë si një veprim që nuk tregon të vërtetën e plotë të përpjekjeve institucionale.
“Publikimi i kësaj korrespondence, pa pasqyruar tërësinë e komunikimeve dhe angazhimeve institucionale, me një dramaticitet të panevojshëm dhe me alarm të pabazë, përbën një qasje, thënë më së buti, problematike të kryetarit të Prishtinës”, pati shkruar Gashani.
Më tej, ministri garantoi se vullneti i Qeverisë për këtë ngjarje është i palëkundur, ndërkohë që shqetësimet e shfaqura po adresohen përmes kanaleve zyrtare të bashkëpunimit mes institucioneve.
Nga ana e tij, Rama nuk ka hezituar t'i kundërpërgjigjet ministrit Gashani me një fjali të shkurtër por domethënëse: “Ministër, përktheje letrën”.
Pritet që gjatë paraqitjes së sotme para medieve, kryetari Rama të zbardhë hollësi shtesë rreth përmbajtjes së dokumentit të ICMG-së dhe prapaskenave që rrethojnë përgatitjet për Lojërat Mesdhetare 2030.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: