Kronikë
Aksion i gjerë hetimor në SHBA: Zarfet me pluhur të panjohur alarmojnë zyrtarët zgjedhorë, FBI në lëvizje
Reklamë e Sponsorizuar
Byroja Federale e Hetimeve (FBI) dhe Shërbimi i Inspektimit Postar të SHBA-së kanë nisur një hetim të përbashkët të nivelit të lartë, pas mbërritjes së disa letrave kërcënuese me përmbajtje të paidentifikuar, të adreSuara drejt zyrtarëve shtetërorë dhe zyrave të administrimit të zgjedhjeve në mbarë vendin.
Ngjarjet kanë shkaktuar alarm vetëm pak javë përpara zhvillimit të zgjedhjeve në SHBA. Në shtetet si Luiziana dhe Oklahoma, marrja e zarfeve me pluhur të panjohur ka detyruar autoritetet të bëjnë evakuime me urgjencë. Ndërkohë, një pako e ngjashme u kap nga Shërbimi Postar përpara se të arrinte te sekretari i shtetit në Ohajo.
Të enjten, alarmi u ngrit edhe në Arizonë, ku stafi i zyrës së sekretarit të shtetit hapi një zarf të ngjashëm. Kjo nxiti ndërhyrjen e menjëhershme të forcave të rendit dhe ekipeve të specializuara për lëndët e rrezikshme, si dhe evakuimin e ndërtesës në kryeqytetin e shtetit. Sipas policisë, nga ky incident nuk ka të lënduar.
Lidhur me këtë situatë, sekretari i shtetit të Arizonës, Adrian Fontes, deklaroi: "Ky është një moment tronditës që nxjerr në pah realitetin e administrimit të zgjedhjeve në këtë vend sot".
Kërcënimi ka vënë në lëvizje edhe nivelin më të lartë ligjvënës. Rreshteri i Armëve i Senatit të SHBA-së i informoi senatorët mbi ecurinë e hetimeve. Autoritetet federale bënë të ditur se po punojnë për të bllokuar dërgesa të tjera të mundshme, ndërsa u kanë bërë thirrje marrësve ta trajtojnë çdo dërgesë postare si "potencialisht të rrezikshme".
Gjatë një konference për shtyp, zyrtari i lartë i Shërbimit të Inspektimit Postar, Brendan Donahue, nërmprehu përkushtimin e institucioneve: "Ne jemi të përkushtuar për të mbrojtur zyrtarët zgjedhorë të vendit tonë nga posta kërcënuese dhe e rrezikshme. Çdo kërcënim ose sulm ndaj një zyrtari zgjedhor është i papranueshëm".
Përmes një deklarate zyrtare, FBI konfirmoi se po heton një seri dërgesash të dyshimta të dërguara në adresa të ndryshme në të gjithë vendin, me fokus të veçantë te zyrtarët zgjedhorë dhe zyrat e sekretarëve të shtetit.
Incidentet e këtij lloji janë përsëritur edhe më parë gjatë periudhave zgjedhore. Përgjatë vitit 2024, të paktën 14 zyra zgjedhore morën postë me pluhur të bardhë, i cili në disa raste doli të ishte thjesht miell. Po ashtu, në vitin 2023, zarfe të ngjashme u dërguan në gjashtë shtete, ku në disa prej tyre u detektuan gjurmë të fentanilit, një lëndë e fuqishme opioide.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: