Aktuale
Mungesa e solidaritetit studentor në Kosovë ndaj protestave në Shqipëri: Një reflektim kritik mbi arsimin, patriotizmin dhe heshtjen e të rinjve
Reklamë e Sponsorizuar
Sot, më shumë se kurrë, rinia, studentët dhe mbarë kombi duhet të ngrihen në protestë në emër të lirisë, patriotizmit, moralit, dinjitetit, drejtësisë, humanitetit dhe unitetit. Kjo thirrje vjen si një detyrim për të përmbushur amanetin e brezave të kaluar, të cilët sakrifikuan jashtëzakonisht shumë për një Shqipëri etnike, të bashkuar, të sigurt, të mirëqenë dhe të prosperuar.
Megjithatë, shtrohet pyetja se pse rinia studentore në Kosovë nuk po tregon asnjë lloj solidariteti me protestat e kolegëve të tyre në Shqipëri. A mos vallë nuk u pëlqejnë reformat që kërkojnë studentët në Tiranë për meritokraci, dije dhe cilësi mësimore, akademike e shkencore? Apo ndoshta ata pajtohen me faktin që notat, dëftesat dhe diplomat të merren përmes ryshfetit dhe të blihen nga shumë të rinj nga Kosova në universitetet e Tiranës, njëlloj siç kanë bërë mjaft figura të korruptuara të politikës kosovare që sot mbajnë tituj profesorësh dhe doktorësh?
Në realitet, në shkollat dhe universitetet e Kosovës vërehet një nivel mjaft i ulët arsimor e profesional, i shoqëruar me mungesë të theksuar cilësie si te nxënësit dhe studentët, ashtu edhe te kategoria që quhen “profa”. Këta të fundit shpesh i blejnë titujt shkencorë dhe akademikë pikërisht në Shqipëri.
Shpeshherë, nxënës dhe studentë nga Kosova vijnë në Shqipëri gjoja për të vizituar monumentet historike e jo si turistë. Megjithatë, në praktikë ata akomodohen në hotele vetëm për plazh, ndërsa mbrëmjet i kalojnë duke u argëtuar deri në orët e vona në lokale nate dhe klube, duke krijuar shqetësime për pronarët e hoteleve, aq sa ekziston rreziku që në të ardhmen këto biznese të refuzojnë t'i presin.
Këto ekskursione pseudopatriotike, nga ana tjetër, mbështeten nga drejtuesit e shkollave në Kosovë, të cilët përfshihen në pazare të dyshimta. Në këmbim të dërgimit të nxënësve në hotelet e Shqipërisë, ata sigurojnë pushime falas për vete dhe familjet e tyre.
Një indiferencë e ngjashme nga ana e rinisë studentore në Kosovë është vërejtur edhe në të kaluarën, si gjatë protestave studentore që rrëzuan regjimin e diktatorit dhe kriminelit Enver Hoxha, ashtu edhe në periudhën kur të rinjtë shqiptarë vërshuan ambasadat për t'i dhënë fund sistemit komunist që e kishte katandisur Shqipërinë në prag urie dhe në një shtet-burg.
Sjellja e policisë ndaj protestuesve patriotë në Tiranë kohët e fundit, e ngjashme me mënyrën se kaipërdeshte dikur policia serbe ndaj studentëve shqiptarë në Prishtinë gjatë viteve '80, nuk ka arritur të zgjojë një reagim solidarizues nga studentët e Kosovës.
Kjo heshtje vazhdon edhe pse studentët në Shqipëri kanë protestuar për 137 ditë rresht për kauzën e “Shqipërisë etnike”, për të cilën breza të tërë në Kosovë kanë luftuar me heroizëm. Po ashtu, mungon reagimi ndaj kundërshtimit të eksodit dhe largimit të rinisë që imponon sistemi neokomunist, ndërkohë që populli i Kosovës për më shumë se një shekull ka luftuar për liri, pavarësi dhe kundër gjenocidit e pastrimit etnik serb.
Studentët e Kosovës nuk janë solidarizuar as me protestat mbi katërmujore kundër shitjes së trojeve shqiptare. Njëkohësisht, ata nuk u ngritën as kundër politikave dhe qeverive të Kosovës që i falën territore Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, dhe që nënshkruan Marrëveshjen për Bashkësinë e Komunave me Shumicë Serbe.
Përballë kësaj situate, lind pyetja e natyrshme: Pse nuk organizohet të paktën një mini-miting, qoftë edhe në një lokal, sallë, cep rruge apo shesh, për të mbështetur protestat paqësore studentore në Shqipëri kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama?
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: