Kronikë
Aksioni policor në protestën e 5 tetorit, Musliu kërkon përgjegjësi nga zinxhiri komandues
Reklamë e Sponsorizuar
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, i ka bërë thirrje Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) që të nisë një hetim të plotë, të pavarur dhe të paanshëm lidhur me ndërhyrjen e Policisë gjatë protestës së 5 tetorit në kryeqytet, duke kërkuar identifikimin e secilit zyrtar të përfshirë dhe zbardhjen e plotë të strukturës komanduese që vendosi për përdorimin e dhunës.
Musliu ka theksuar se hetimet nuk duhet të kufizohen vetëm te efektivët që kanë zbatuar urdhrat në terren, por të shtrihen te personat përgjegjës që kanë dhënë dhe kanë udhëhequr urdhrin për këtë ndërhyrje. Ajo ka paralajmëruar gjithashtu se nëse IPK-ja dështon në përmbushjen e mandatit të saj, do të ndërmerren hapa për themelimin e një komisioni parlamentar hetimor për këtë ngjarje.
“Prandaj, sot kërkojmë nga Inspektorati Policor i Kosovës që hetimi i iniciuar të jetë i plotë, i pavarur dhe i paanshëm për të gjitha veprimet policore gjatë protestës së 5 tetorit. Kërkojmë të identifikohen të gjithë zyrtarët e përfshirë në përdorim të panevojshëm të forcës policore. Të hetohet, jo vetem polici qe zbatoi urdherin, por të hetohet igjithë zinxhiri komandues. Kush dhe nga ku u dha urdhëri për ndërhyrje? Kush e drejtoi operacionin? Kush e vlerësoi situatën? Të sigurohet çdo provë tjetër që ndihmon në zbardhjen e plotë të ngjarjes. Nuk na duhen hetime vetëm sa për ta qetësuar opinionin publik”, ka deklaruar ajo.
Sipas ligjvënëses së PDK-së, reagimi i forcave të rendit erdhi pas dyzet ditësh protestash paqësore që kundërshtonin dënimin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Hagë, si dhe mbështesnin nismën për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Ajo ka përmendur se në mbrëmjen e 5 tetorit protestuesit u përballën me gaz lotsjellës, plumba e topa gome, ujë me presion dhe akte të dhunës fizike.
“Më 5 tetor, në ditën e 21-të të protestës gjithëpopullore kundër dënimit të krerëve të UÇK-së në Hagë dhe kërkesës së qartë për votimin e ndryshimit te ligjit për dhomat e specializuara, ndodhi ajo që, në një shtet demokratik, nuk do duhej te ndodhte. Në orët e mbrëmjes së 5 tetorit, dikush dha urdhër për përdorim të forcës policore ndaj qytetarëve që kishin dalë për të protestuar. Kjo erdhi pas 20 dite protest ku, gra, burra djem e vajza, femijë te moshuar kishin protestuar në mënyrë paqësore, me dinjitet dhe pa incidente. Me 5 tetor qytetërit u përballën me mase te madhe te gazit lotsjellës, me topa gome, me ujë të ftohtë dhe me skena të papara të dhunës fizike”, ka shtuar Musliu.
Deputetja ka vlerësuar se ndërhyrja nuk përbënte një përgjigje ndaj rrethanave të krijuara në shesh, por një skenar të organizuar me qëllim provokimin e qytetarëve, duke rrezikuar drejtpërdrejt jetët e tyre. Ajo ka bërë të ditur se si pasojë e kësaj dhune, shumë protestues, në mesin e të cilëve veteranë të UÇK-së dhe fëmijë dëshmorësh, kanë pësuar lëndime dhe kanë kërkuar ndihmë mjekësore.
“Kjo situate nuk ishte pergjigje ndaj nje situate te krijuar nga protestuesit por ishte nje skenar i kurdisur për t’i provokuar qytetarët në shesh pa marre fare ne konsiderate qe mund te rrezikohej jeta e atyre qe po protestonin per nje kauze te madhe. Ajo që pamë atë pasdite ishte e frikshme dhe e papranueshme! Përvec gazit lotësjellës ujit të ftoftë dhe topave të gomes kishte përndjekje te qytetrëve nëpër hapësira dhe kthina të ndërtesave dhe perdorim të shfrenuar te dhunes fizike. Shumë protestues kryesisht veteran te UCK-se e femijë dëshmorësh që po protestonin atë ditë u detyruan të marrin ndihmë mjekësore nga dhuna brotale e policisë”, ka përfunduar ajo, duke insistuar në kërkesën për llogaridhënie institucionale.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: