Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Aktuale

Fenomeni Zymer Mehani: Krijimtaria që po lë gjurmë të pashlyeshme në letërsinë shqipe

Redaksia Lajmetereja • 14-10-2026 20:22
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Fenomeni Zymer Mehani: Krijimtaria që po lë gjurmë të pashlyeshme në letërsinë shqipe
Emri i Zymer Mehanit është shfaqur fuqishëm në skenën letrare dhe artistike shqiptare, duke u shndërruar dita-ditës në një nga figurat më të dashura dhe të lexuara. Prania e tij në hapësirën tonë kulturore është e përditshme përmes krijimeve në prozë dhe poezi. Ai trajton me mjeshtëri ngjarjet e aktualitetit përmes zhanreve të ndryshme letrare: në prozë është dalluar me romane dhe tregime, ndërsa në poezi përcjell motive dhe tema të larmishme, ku kohët e fundit spikat veçanërisht fryma satirike. Në qendër të vëmendjes sonë vjen vepra e tij më e re, përmbledhja “TREGIME TË PËRGJAKURA”. Ky libër përmban dyzet e shtatë tregime që evokojnë ngjarje të mbushura me gjakun e derdhur të shqiptarëve nga armiku ynë shekullor. Konflikti dhe përballja jonë me ta shtrihet ndër shekuj, duke shënuar një histori të gjatë qëndrese të pashkëputur. Kjo luftë ka qenë vazhdimisht e pabarabartë, pasi populli ynë ka qenë në disavantazh për sa i përket organizimit, armatimit dhe mbrojtjes përballë pushtuesit. Kronika e tregimeve hapet me datën 17 janar 1468, që shënon kalimin në amshim të heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Autori e cilëson muajin janar si periudhën më të përgjakur në histori, e cila i mori jetën personaliteteve dhe veprimtarëve të shquar për liri. Pikërisht në këtë datë, por në vitin 1982, u vranë në Heilbronn të Gjermanisë vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla së bashku me Kadri Zekën. Ndërsa në ditët e fundit të janarit të vitit 1997, rrugëtimi i tyre u pre në Pestovë të Vushtrrisë për tre kolosët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Zahir Pajazitin, Hakif Zejnullahun dhe Edmond Hoxha. Po më 17 janar të vitit 1999 u nda nga jeta edhe Xheladin Rekaliu (Xhela), njeriu që nuk priti vetëm të gëzonte lirinë, por kontribuoi fuqishëm në ndërtimin e saj. Është domethënëse se si kjo datë duket e paracaktuar për t'i marrë gjirin udhëheqësve dhe strategëve tanë, që nga Skënderbeu, vëllezërit Gërvalla e Kadri Zeka, e deri te veprimtari Xheladin Rekaliu. Gjithashtu, më 21 janar 2006, u shua nga jeta arkitekti i Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova. Të dyzet e shtatë tregimet e këtij vëllimi pasqyrojnë ngjarje autentike të krimeve të kryera nga regjimi serb. Çdo rrëfim mban vulën e tij unike, si në ndërtimin e ngjarjes ashtu edhe në stilin e trajtimit. Përmes përshkrimeve të detajuara dhe një gjuhe të rrjedhshme, të pasur me fjalë e fjali të zgjedhura me kujdes, autori arrin ta mbajë lexuesin të mbërthyer pas faqeve të librit. Në të gjithë librin ndihet prania e fuqishme e dialogut midis personazheve, i cili shpesh shoqërohet nga mendimet e autorit përmes krahasimeve dhe antitezave domethënëse, duke e ftuar lexuesin në reflektim të thellë. Mehani depërton me ndjeshmëri në psikologjinë e karaktereve; ai zbërthen ndjenjat prindërore, peshën e fjalës së dhënë, rëndësinë e edukimit, si dhe dashurinë e pakushtëzuar të luftëtarëve për atdheun. Ata ishin të gatshëm të sakrifikonin gjithçka, duke u ndarë nga prindërit e tyre pikërisht atëherë kur ata kishin më shumë nevojë për kujdes, me besimin e palëkundur se liria do t'u lehtësonte jetën gjithë atyre që vuanin, duke mos lejuar më kurrë që ushtroka dhe paramilitarët serbë të turren dyerve të tyre për të derdhur gjak shqiptari. Bisedat e ndjeshme mes prindërve dhe bijve që niseshin në frontin e luftës janë pasqyruar me aq mjeshtëri artistike, sa është e pamundur të përmbahen lotët gjatë atyre çasteve të dhimbshme ndarjeje. Këto emocione të forta përsëriten edhe në momentet kur trimat bien heronj në altarin e lirisë. Siç u theksua, kjo përmbledhje monumentale nis udhëtimin e saj letrar me figurën e Skënderbeut dhe dëshmorët e tjerë të rënë në janar, për të vazhduar më tej me ngjarje të fuqishme të qëndresës sonë kombëtare.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar