Sport
Formë e jashtëzakonshme: Barcelona e Hansi Flick thyen rekorde që datojnë nga viti 1929
Reklamë e Sponsorizuar
Nën drejtimin e Hansi Flick, Barcelona po kalon një periudhë fantastike, duke e nisur edicionin e ri me dhjetë fitore rresht në po aq sfida zyrtare, teksa ka realizuar 43 gola dhe ka lejuar vetëm nëntë të tjerë në rrjetën e saj.
Triumfi i fundit në udhëtim ndaj Galatasarayt me shifrat 1-4 e ngriti gjigantin katalunas në kuotën e dhjetë sukseseve radhazi, një e arritur që nuk ishte regjistruar nga asnjë skuadër e Barçës që prej themelimit të La Ligës në vitin 1929.
Për të gjetur një start të ngjashëm në historikun e klubit, duhet të udhëtojmë më shumë se një shekull në të kaluarën, saktësisht te sezoni 1923/24, periudhë kur blaugranët triumfuan në 13 takimet e tyre të para zyrtare, ku dhjetë i takonin Kampionatit të Katalonjës dhe tri atij të Spanjës.
Megjithatë, ky nuk përbën rekordin absolut të institucionit katalunas, duke qenë se Barcelona e edicionit 1915/16 kishte regjistruar fitore në të gjitha 11 ndeshjet e zhvilluara brenda Kampionatit të Katalonjës, shifra që i përkasin një epoke tjetër futbollistike para lindjes së La Ligës.
Flick lë pas ekipet e mëdha të Barcelonës
Statistikat e grupit aktual fitojnë edhe më shumë peshë kur vendosen përballë gjeneratave më të arta në historinë e klubit.
Formacioni i drejtuar nga Johan Cruyff në edicionin 1991/92, kur klubi fitoi për herë të parë Kupën e Evropës, pas dhjetë dueleve të para zyrtare numëronte pesë fitore, një barazim dhe katër humbje, me 16 gola të shënuar dhe 11 të pësuar.
Nga ana tjetër, ekipi i Frank Rijkaardit gjatë sezonit 2005/06, i cili u kurorëzua me suksesin e Parisit në Ligën e Kampionëve, kishte regjistruar pesë fitore, tri barazime dhe dy humbje, duke gjetur rrjetën 21 herë dhe duke pësuar dhjetë gola.
Në raport me këto dy periudha, Barcelona e Flickut krenohet me dyfishin e fitoreve dhe më shumë se dyfishin e golave të shënuar.
Edhe ballafaqimi me dy ekipet që kanë fituar tripletën shkon qartësisht në favor të strategut gjerman.
Barcelona e Pep Guardiolës në sezonin 2008/09 kishte arkëtuar shtatë fitore, një barazim dhe dy humbje në dhjetë ndeshjet e para zyrtare, me 27 gola të shënuar dhe dhjetë të pësuar.
Kjo dëshmon se skuadra e sotme ka tre fitore dhe 16 gola më shumë sesa ekipi ikonik i Guardiolës në të njëjtën periudhë kohore të sezonit.
Ndërkaq, Barcelona e Luis Enriques në edicionin 2014/15 kishte arritur tetë fitore, një barazim dhe një humbje, me 25 gola të shënuar dhe vetëm tre të pësuar.
Grupi i Flickut ka realizuar 18 gola më shumë dhe ka fituar çdo ndeshje, pavarësisht se ekipi i Luis Enriques gëzonte një prapavijë më solide, duke ruajtur portën të paprekur në nëntë nga dhjetë sfidat e para.
Madje, as skuadra e Guardiolës e sezonit 2009/10, me nëntë fitore dhe një barazim, nuk kishte prekur të njëjtin ritëm golash, duke ndalur në kuotën e 24 realizimeve, kurse ekipi i edicionit 2011/12 kishte shënuar 36 herë, por kishte regjistruar vetëm gjashtë fitore dhe katër barazime.
Rekordi i Real Madridit është objektivi i radhës
Duke lënë pas kufijtë e historisë blaugrana, pikëreferimi i radhës mbetet Real Madridi i drejtuar nga Miguel Muñoz, i cili në edicionin 1968/69 fitoi 11 ndeshje radhazi në nisje të kampionatit.
Madrilenët kishin siguruar nëntë fitore në La Ligë dhe dy suksese bindëse 6-0 kundër AEL Limassolit brenda Kupës së Evropës.
Ekipi i Flickut ndodhet vetëm një fitore larg barazimit të këtij rekordi historik.
Pavarësisht kësaj, pas dhjetë sfidave të para, katalunasit shfaqin tregues më të lartë në fazën sulmuese. Real Madridi i asaj kohe kishte shënuar 31 herë dhe kishte pësuar shtatë gola, ndërsa Barcelona e ditëve tona ka arritur në kuotën e 43 realizimeve dhe nëntë të pësuar.
Si përfundim, skuadra e drejtuar nga Flick numëron 12 gola më shumë të shënuar dhe një diferencë pozitive prej 34 golash, krahasuar me plus 24 që kishin madrilenët.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: