Aktuale
Prishtina kërkon zhbllokimin e orarit të deponisë së Mirashit dhe paralajmëron padi ndaj kryeshefit të KMDK-së
Reklamë e Sponsorizuar
Nënkryetarja e Kryeqytetit, Besianë Musmurati, së bashku me Drejtorin e Shërbimeve Publike, Leutrim Retkoceri, kanë mbajtur një konferencë për media ku kanë kërkuar heqjen e menjëhershme të kufizimit të orarit në deponinë e Mirashit. Sipas tyre, ky bllokim gjatë natës po krijon pengesa serioze në procesin e mbledhjes dhe largimit të mbeturinave nga qyteti.
Musmurati ka bërë të ditur se pamundësia e shkarkimit të mbeturinave nga kamionët e ndërmarrjes “Pastrimi” gjatë intervalit kohor prej orës 00:00 deri në orën 07:00 po paralizon punën në ndërrimin e natës. “Komuna e Prishtinës do të bëjë kallëzim penal ndaj Dardan Velisë për mbylljen e qëllimshme të deponisë dhe për përgjegjësinë që ka për pasojat që po sjell kjo mbyllje”, u shpreh ajo.
Gjatë fjalës së saj, ajo gjithashtu u ndal te projekti prej 74 milionë eurosh në bashkëpunim me Bankën Zhvillimore Gjermane KfW, i cili parasheh sigurimin e 100 kamionëve të rinj, 10 mijë kontejnerëve dhe ndërtimin e një qendre riciklimi, duke thënë se ky projekt është bllokuar nga ministri Hekuran Murati. Këto veprime ajo i quajti pengesa të qëllimshme nga pushteti qendror ndaj nismave për një ambient më të pastër në Kryeqytet.
Në vijim, drejtori Retkoceri kërkoi që dyert e deponisë së Mirashit të hapen që në mesnatën e sotme, ndërsa paralajmëroi hapa të tjerë institucionalë nëse ky kufizim mbetet në fuqi.
“Sonte, në ora 12:00 kërkoj të hapen dyert në deponinë në Mirash, për t’u larguar mbeturinat nga Kryeqyteti. Në të kundërtën, veprimet tona nuk do të jenë më të njëjta”, theksoi Retkoceri.
Ai sqaroi se autoritetet komunale i janë drejtuar institucioneve me një kërkesë zyrtare për të marrë sqarime lidhur me këtë kufizim orari, mirëpo deri më tani nuk kanë pranuar asnjë vendim zyrtar. Retkoceri kërkoi llogaridhënie publike nga kryeshefi i KMDK-së, Dardan Velija, si dhe kërkoi që Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës të prononcohet dhe të veprojë pa vonesë.
“Si kërkohet një Prishtinë e pastër, kur pengohet investimi në pastrim dhe njëkohësisht kufizohet funksionimi i deponisë?”, përfundoi ai.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: