Sport
Iva Mihaillova në kërkim ndërkombëtar: Autoritetet maqedonase kërkojnë ekstradimin e saj pas arratisjes në Bullgari
Reklamë e Sponsorizuar
Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka lëshuar një urdhërarrest ndërkombëtar për 23-vjeçaren Iva Mihaillova nga Koçani. Lajmi u konfirmua nga vetë dikasteri i brendshëm, i cili saktësoi se masa është ndërmarrë pas kërkesës së Gjykatës Themelore në Koçan, për shkak të akuzave për vepra penale të parashikuara në nenin 300, paragrafi 4 dhe nenin 297, paragrafi 3 të Kodit Penal.
Sipas informacioneve zyrtare, Mihaillova është subjekt i një procesi gjyqësor lidhur me një aksident trafiku me pasojë vdekjen, ngjarje e cila ka ndodhur në qytetin e Koçanit. Për shkak të mosparaqitjes së saj para drejtësisë, autoritetet kanë aktivizuar procedurat e kërkimit qendror dhe ndërkombëtar.
Ndërkohë, detaje të reja kanë dalë në dritë pas raportimeve të mediave bullgare, të cilat konfirmuan se 23-vjeçarja ka kaluar kufirin për në Bullgari e shoqëruar nga avokati i saj, Nikolaj Dimitrov. Në një prononcim për televizionin bullgar BTV, Mihaillova arsyetoi largimin e saj me probleme shëndetësore, të cilat, sipas saj, e detyruan të kërkojë strehim në Bullgari.
Në reagimin e saj zyrtar, Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë distancohet nga ky rast, duke theksuar se nuk ka pasur asnjë dijeni paraprake dhe asnjë rol në organizimin e largimit të shtetases maqedonase nga territori i Maqedonisë së Veriut.
Situata ka marrë përmasa diplomatike, pasi raportimet për një pritje të veçantë të Mihaillovës në Bullgari kanë nxitur reagimin e Shkupit zyrtar. Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut ka thirrur në një bisedë zyrtare ambasadorin bullgar, për të kërkuar sqarime lidhur me trajtimin që i është bërë të akuzuarës në shtetin fqinj.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: