Aktuale
Lladrovci mbron figurën e Hashim Thaçit: Një atdhetar që e vuri Kosovën para interesit personal
Reklamë e Sponsorizuar
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka dalë në mbrojtje të ish-presidentit Hashim Thaçi, duke e vlerësuar atë si një ndër figurat kyçe të historisë moderne të Kosovës. Lladrovci ka dënuar ashpër fushatat që, sipas tij, synojnë njollosjen e personaliteteve që kontribuan për lirinë e vendit.
Në një reagim të bërë publik, Lladrovci ka hedhur poshtë zërat që pretendonin se Thaçi ishte kundër zgjedhjes së presidentes aktuale. Ai nënvizoi se, bazuar në përvojën e tij të gjatë me ish-presidentin, prioriteti absolut i Thaçit ka qenë gjithmonë interesi i shtetit të Kosovës, duke e lënë veten në plan të dytë.
“Presidenti Hashim Thaçi është ndër lisat e mëdhenj mbi të cilët zbrazen bubullimat. Xhelozët dhe hakmarrësit nuk ndalen. Tendenca për të përbaltur heronjtë, përfshirë Thaçin, Kadriun, Jakupin e Rexhën, është e vazhdueshme. Tellallët dhe profiterët po përpiqen ta shtrembërojnë figurën e tij, por që nga dita e parë që e njoh, ai ka dëshmuar se e do Kosovën më shumë se veten”, ka shkruar Lladrovci.
Si dëshmi për këtë përkushtim ndaj shtetit, Lladrovci përmendi vendimin e Thaçit për themelimin e Dhomave të Specializuara. Sipas tij, ish-presidenti kishte vepruar me këmbëngulje për t’ia larguar Kosovës “retë e zeza”, duke vënë fatin e vendit para atij personal, një qëndrim që Lladrovci beson se Thaçi e mban edhe në këto momente.
Në të njëjtën kohë, Lladrovci shprehu revoltën e tij ndaj kritikave që drejtohen ndaj heronjve të kombit, Fehmi dhe Xhevë Lladrovci. Ai u shpreh i habitur se si disa njerëz mund të shfaqin armiqësi ndaj emblemave të lirisë, duke shtuar: “Ka njerëz që ta falin gjakun e djalit, por suksesin jo. E kuptueshme që mund të mos më pëlqejnë mua në skenën politike, por nuk e kuptoj çfarë kanë me Fehmiun e Xhevën”.
Në mbyllje të reagimit të tij, Lladrovci përcjelli edhe një mesazh filozofik mbi sfidat e kohës: “Kohërat e lehta krijojnë njerëz të dobët, ndërsa njerëzit e dobët krijojnë kohë të vështira”.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: