Aktuale
Prapaskenat e largimit nga Arsenali: Olivier Giroud tregon të vërtetën për bujën e vitit 2018
Reklamë e Sponsorizuar
Olivier Giroud po bëhet gati për një rikthim plot emocione në pjesën veriore të Londrës, teksa Lille do të masë forcat me Arsenalin në kuadër të Ligës së Kampionëve.
Sulmuesi ka evokuar momentin sfidues të ndarjes nga fanella e “Topçinjve” në vitin 2018, duke pranuar se ky hap ishte i pashmangshëm për të garantuar një vend titullari te Përfaqësuesja e Francës në prag të Kupës së Botës. Për më tepër, ai ka thurur elloge për filozofinë e lojës që karakterizonte skuadrën gjatë periudhës së tij në Londër.
Të martën në mbrëmje, francezi do të zbresë sërish në stadiumin “Emirates”, pasi Lille do të jetë mysafire e Arsenalit në kompeticionin më prestigjor evropian për klube.
Në një rrëfim për mediat, Giroud është kthyer pas në kohë te transferimi i tij te Chelsea, i ndodhur në janar të vitit 2018.
I pyetur rreth motiveve që e shtuan drejt këtij vendimi, ai u shpreh: “Ishte pjesë e karrierës sime dhe e kohës sime. Më duhej të largohesha nga klubi për të luajtur në Kupën e Botës 2018 dhe ne e dimë se si përfundoi historia. Isha vërtet i trishtuar që po largohesha nga klubi, por duhej ta merrja atë vendim. Ishte një vendim i vështirë në karrierën time, por ishte i domosdoshëm dhe i rëndësishëm për vazhdimësinë e karrierës sime”.
Nën urdhërat e legjendarit Arsene Wenger, Giroud ka realizuar 105 gola në 253 paraqitje zyrtare për klubin londinez, ndërsa vazhdon të ruajë konsideratën më të lartë për nivelin e futbollit të shfaqur në atë kohë.
Ai shtoi gjithashtu: “Kur mbërrita te Arsenali, e përmirësova shumë lojën time falë ushtrimeve bazë që bënim çdo ditë në stërvitje. Puna në teknikë, përfundimi i aksioneve me një prekje, por edhe lidhja e lojës, devijimi i topit, loja me një prekje për bashkëlojtarët dhe përfundimi i shpejtë i aksioneve brenda zonës. Ky ishte një shembull i përsosur. U përmirësova shumë në këtë aspekt, duke u bërë pika e referimit në sulm, lojtari tek i cili një bashkëlojtar mund të mbështetej për ta përdorur si pikë pasimi”.
Në anën tjetër, strategu aktual i Arsenalit, Mikel Arteta, i cili dikur ka ndarë fushën e blertë si bashklojtar me francezin, ka shprehur vlerësime maksimale për të gjatë konferencës për shtyp paraprake. Tekniku spanjoll ka hedhur poshtë çdo aludim se sulmuesi mund të jetë trajtuar si i nënvlerësuar.
Arteta deklaroi: “Sa herë që e kishe në fushë, përbënte një kërcënim të madh brenda zonës. Ishte shumë i zgjuar. Ishte gjithashtu shumë i mirë në kombinimin me lojtarët e tjerë dhe kishte një ritëm të jashtëzakonshëm pune, prandaj, sigurisht që jo [i nënvlerësuar] nga ne”.
Sakaq, trajneri i londinezëve ka theksuar se bashkimi i Giroud me skuadrën në të kaluarën, menjëherë pas triumfit në Ligue 1 me Montpellierin, i solli grupit një dimension krejtësisht të ri dhe profil unik sulmues.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: