Politikë
Kërcënimet e Daçiqit për Prizrenin, Valdet Hoxha bën thirrje për veprime strategjike dhe mbrojtje të integruar
Reklamë e Sponsorizuar
Deklarata e fundit e zëvendëskryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiq, se flamuri serb “herët a vonë do të valëvitet mbi Prizren”, ka ngritur shqetësime të thella për sigurinë dhe stabilitetin në rajon. Një gjuhë e tillë është interpretuar gjerësisht si paralajmërim për agresion ushtarak ndaj një shteti sovran, duke rikthyer në vëmendje pretendimet e hapura territoriale të Beogradit.
Lidhur me këtë situatë, ish-zëvendësministri i Brendshëm, Valdet Hoxha, ka theksuar se Serbia duhet të heqë dorë përfundimisht nga ambiciet hegjemoniste dhe të tregojë respekt ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës.
Sipas tij, paralajmërimet e Daçiqit nuk përbëjnë thjesht retorikë populiste apo elektorale për konsum të brendshëm, por paraqesin rrezik direkt për paqen rajonale. Hoxha vlerësoi se çdo tentativë për të caktuar kufij të rinj apo për të cenuar Kosovën do të marrë një përgjigje të fuqishme nga institucionet e sigurisë dhe partnerët ndërkombëtarë.
“Serbia duhet ta kuptojë se ëndrrat hegjemoniste të viteve '90 kanë përfunduar dhe kanë marrë përgjigjen meritore nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, NATO dhe partnerët ndërkombëtar. Kosova është shtet sovran, i pavarur, me institucione të konsoliduara dhe me prani të forcave të KFOR-it, prandaj çdo tentativë për të cenuar integritetin e saj territorial, do të përballet me përgjigje të vërtetë dhe të fortë të institucioneve të sigurisë së Kosovës dhe aleatëve tanë”, u shpreh ai.
Duke analizuar qasjen e Beogradit, ai shtoi se kjo retorikë shpërfaq vazhdimësinë e doktrinës ekspansioniste që refuzon të pranojë realitetin e ri gjeopolitik, duke synuar destabilizimin e Ballkanit Perëndimor përmes ideve të vjetra.
Përballë këtyre zhvillimeve, Hoxha ka bërë thirrje që institucionet e Kosovës të mos mjaftohen vetëm me reagime verbale, por të ndërmarrin hapa konkretë e strategjikë për forcimin e mbrojtjes dhe zgjerimin e partneriteteve rajonale e ndërkombëtare.
Ai ka kërkuar angazhim më të madh në fushën e sigurisë, përfshirë aplikimin e metodës së mbrojtjes “Smart Defence”, si dhe koordinim të ngushtë me Shqipërinë, të cilën e ka cilësuar si një domosdoshmëri të kohës në kontekstin aktual të sigurisë.
“Përballë një gjuhë të tillë agresive, përgjigjja e Republikës së Kosovës nuk duhet të mbetet vetëm në kuadrin e deklaratave apo konstatimeve se Serbia asnjëherë nuk ka hequr dorë nga retorika luftënxitëse, por në kontinuitet duhet të marrë vendime strategjike në drejtim të forcimit dhe konsolidimit të mekanizmave të sigurisë dhe avancimit të politikave bashkëpunuese me partnerët, duke i kushtuar rëndësi edhe bashkëpunimit rajonal në fushën e sigurisë dhe duke materializuar metodën e mbrojtjes ‘Smart Defence’”, u shpreh ai.
Në përmbyllje, Hoxha ka kërkuar që autoritetet kosovare t'i drejtohen zyrtarisht NATO-s për ruajtjen e trupave të KFOR-it në numër optimal, si dhe të zhvillojnë një ofensivë diplomatike për t'i paraqitur opinionit botëror skenarët serbë për destabilizimin e Ballkanit Perëndimor.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: