Politikë
Gashi: UÇK-ja lindi nga populli i Kosovës, LDK-ja është pjesë e themeleve të saj
Reklamë e Sponsorizuar
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka theksuar se kjo parti dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) përbëjnë një kapitull të përbashkët në historinë e shqiptarëve të Kosovës drejt arritjes së lirisë dhe pavarësisë.
Ai ka vlerësuar se e kaluara duhet të analizohet në bazë të fakteve të mirëfillta, duke shmangur monopolizimin politik të meritave, ndërsa ka vënë inatin te rëndësia e unitetit, drejtësisë dhe ngritjes së një shteti demokratik e funksional.
Sipas tij, për të kuptuar të tashmen, domosdoshmërisht duhet njohur e gjithë panorama historike. LDK-ja dhe UÇK-ja nuk duhet të shihen si nisma të shkëputura, por si segmente të një sakrifice mbarëpopullore të shqiptarëve të Kosovës për çlirim.
LDK-ja, nën drejtimin e Presidentit historik Ibrahim Rugova, u shndërrua në lëvizje gjithëpërfshirëse, e cila organizoi rezistencën paqësore, ngriti institucione paralele dhe ruajti të gjallë idealin për liri, pavarësi dhe shtetformim. Në lindjen dhe rritjen e saj dhanë kontribut personalitete me bindje e përvoja të ndryshme politike, përfshirë veprimtarë të lëvizjeve të mëhershme si NDSH-ja, LPK-ja dhe LKÇK-ja.
Që në agimin e viteve ’90, LDK-ja ndërmori hapat e parë për organizimin e mbrojtjes dhe të rezistencës përmes shtabeve lokale, strukturave të mbrojtjes territoriale, si dhe përmes Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Punës së Brendshme.
Në këtë rrjedhë u formësua edhe UÇK-ja, si mishërim i rezistencës së armatosur dhe përpjekjes vendimtare për çlirimin e Kosovës. Ajo ishte fryt i realitetit shoqëror e politik të epokës, i angazhimit të subjekteve të ndryshme politike, përfshirë LDK-në, LPK-në dhe LKÇK-së, si dhe i domosdoshmërisë për t'iu kundërvënë represionit serb dhe bindjes se liria kërkonte edhe luftë frontale. Edhe këtu, njerëz me karriera e prapavija të ndryshme atdhetare u bënë bashkë rreth qëllimit të lartë çlirimtar.
Prandaj, LDK-ja përfaqësonte një projekt të gjerë politik të shqiptarëve të Kosovës, ku kontribuan struktura nga e kaluara. Njëkohësisht, UÇK-ja u zhvillua në këtë vazhdimësi historike, me kontributin e njerëzve që vinin nga sfera të ndryshme, përfshirë edhe anëtarë të LDK-së. Kjo nuk i zhbën dallimet në organizim dhe taktikë, por i vendos ato në kornizën e objektivit të vetëm: çlirimin e Kosovës.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës është një dukuri historike tejet më e gjerë dhe e ndërlikuar sesa përpiqen ta paraqesin sot qarqe të caktuara me synim përvetësimin politik të saj. UÇK-ja është krijesë e vetë popullit të Kosovës dhe në themelet e saj qëndron edhe LDK-ja, ashtu siç kjo e fundit ka qenë gurthemel i çdo lëvizjeje për liri e pavarësi që nga dita e saj e parë.
Kjo sprovë e gjatë lirie u përjetua në kushte tejet të vështira, nën shtypjen e regjimit serb dhe në një diplomaci ndërkombëtare që ndryshonte me ritme të shpejta. Përveç sakrificave sublime që meritojnë çmim, pati edhe sfida, gabime e plagë që kërkojnë vendosjen e drejtësisë. Ndërhyrjet e jashtme, ambiciet partiake dhe vështirësitë e tranzicionit drejt demokracisë lanë gjurmët e tyre në ngjarjet e kohës. Kjo histori kërkon studim të bazuar në fakte, pa anësi dhe pa standarde të dyfishta.
Çdo përpjekje për të përçarë artificialisht LDK-në nga UÇK-ja ose për t'ia atribuar meritat e lirisë vetëm njërës anë dëmton të vërtetën historike dhe bashkëjetesën politike. Përvojat e deritanishme dëshmojnë se përçarjet kanë sjellë pasoja të rënda, ndërsa uniteti rreth interesave mbarëkombëtare mbetet domosdoshmëri e kohës.
Sot, sfida kryesore mbetet konsolidimi i Kosovës si një shtet demokratik, funksional dhe i begatë. Për këtë qëllim kërkohen institucione kredibile, drejtësi e pavarur, ekonomi e qëndrueshme, arsim cilësor dhe udhëheqje e përgjegjshme.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: