Kronikë
Trafikim droge drejt Greqisë, shpallet dënimi përfundimtar për ish-numrin dy të Kufirit në Korçë
Reklamë e Sponsorizuar
Gjykata e Korçës ka dhënë vendimin përfundimtar për Stiljan Pashon, ish-zëvendësdrejtorin e Kufirit në këtë qark, duke e dënuar atë me 7 vjet e 4 muaj heqje lirie nën akuzën e trafikut të lëndëve narkotike të kryer në bashkëpunim.
Sipas dosjes hetimore të referuar nga organi i akuzës, Pasho dyshohet se ka bashkëpunuar me katër persona të tjerë për të organizuar kalimin e lëndëve narkotike nga territori shqiptar në drejtim të Greqisë. Hetimet zbuluan se ish-zyrtari i lartë keqpërdori detyrën duke urdhëruar vartësit e tij në pikën doganore që të ushtronin kontrolle rutinë në makinat e tjera, por të shmangnin krejtësisht automjetet që transportonin ngarkesat me cannabis sativa.
Çështja mori kthesë pas ndërhyrjes së autoriteteve greke, të cilat vunë në pranga Lorenco Likën dhe Ervin e Ibin, pasi gjatë kontrollit të makinës së tyre u zbuluan dhe u sekuestruan 26 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike. Sipas provave të siguruara nga akuza, ky mjet kishte kaluar kufirin pa u kontrolluar, falë urdhrit të drejtpërdrejtë të dhënë nga Stiljan Pasho.
Gjatë shqyrtimit gjyqësor, trupi gjykues fillimisht e dënoi ish-zyrtarin me 11 vite burgim, por për shkak të pranimit të kërkesës për gjykim të shkurtuar, dënimi përfundimtar u ul në 7 vjet e 4 muaj burg.
Gjatë gjithë procesit penal, Stiljan Pasho ka mohuar kategorikisht çdo lloj përfshirjeje në aktivitetin kriminal për të cilin është shpallur fajtor.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: