Politikë
Faza e dytë e Reformës Territoriale: PS-ja kërkon krijimin e Komisionit të Posaçëm për shërbimet dhe financat vendore
Reklamë e Sponsorizuar
Socialistët kanë ndërmarrë hapat zyrtarë për nisjen e fazës së radhës të ndryshimeve në qeverisjen vendore, duke dorëzuar një kërkesë të re për formimin e Komisionit të Posaçëm Parlamentar. Kjo nismë vjen në vazhdë të vendimit nr. 75/2025, përmes të cilit Kuvendi ngriti fillimisht komisionin me mandat nëntëmujor, puna e të cilit u përmbyll me raportin e datës 15.07.2026. Ky dokument përcaktoi metodologjinë prej pesë kriteresh dhe skenarët e riorganizimit, duke sjellë më pas miratimin në tetor 2026 të ligjit nr. 100/2026 që e ndan vendin në 46 bashki, pas një procesi të gjerë konsultimesh me qytetarët dhe pushtetin vendor.
Edhe pse harta e re përbën themelin e kësaj nisme, procesi kërkon plotësimin e tri shtyllave të tjera thelbësore: shërbimet dhe funksionet, financat vendore, si dhe niveli rajonal. Këto aspekte kërkojnë miratimin e kuadrit të ri ligjor brenda vitit të ardhshëm nga ana e institucioneve qendrore dhe lokale. Ndryshimet pritet të përfshijnë përditësimin e ligjit nr. 139/2015 për vetëqeverisjen vendore, përcaktimin e standardeve minimale të shërbimeve, formulën e re të transfertës së pakushtëzuar në bazë të Censit 2023, amendimin e ligjit nr. 68/2017 për financat vendore, si dhe funksionalizimin e nivelit rajonal në përputhje me ligjin nr. 102/2020 për kohezionin.
Filozofia e këtij procesi mbetet e pandryshuar: kompetencat nuk mund t'i shtohen bashkive përpara se ato të jenë të afta të menaxhojnë ato që zotërojnë aktualisht, çka do të thotë se pushteti vendor më i fortë sot do të përkthehet në përgjegjësi dhe financime më të larta nesër. Legjislacioni i ri duhet të jetë plotësisht funksional në kohë për zgjedhjet vendore të vitit 2027. Për këtë qëllim, faza e dytë do të mbështetet te puna e orientuar nga të dhënat dhe konsensusi i gjerë ndërpartiak, nën drejtimin e Kuvendit dhe në bashkëpunim të ngushtë me qeverinë, bashkitë, shoqërinë civile dhe partnerët ndërkombëtarë.
Duke u mbështetur në nenet 77 dhe 78 të Kushtetutës, si dhe në dispozitat përkatëse të Rregullores së Kuvendit, deputetët kërkojnë zyrtarisht ngritjen e këtij strukture të posaçme për të trajtuar reformën administrative, kuadri ligjor i së cilës do të përfshijë shqyrtimin e decentralizimit, analizën e qëndrueshmërisë financiare dhe fiskale, zhvillimin rajonal në funksion të fondeve të Bashkimit Europian, përafrimin me standardet e BE-së dhe Kartën Europiane të Autonomisë Vendore, si dhe garantimin e transparencës përmes konsultimeve publike përpara paraqitjes së projektligjeve në Kuvend.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: