Kronikë
Skandali i dhunës ndaj dy të rinjve në Saraj: Pezullohen gjashtë efektivë të policisë, reagon koalicioni VLEN
Reklamë e Sponsorizuar
Gjashtë zyrtarë policorë janë vënë në masën e suspendimit pas ngjarjes së rëndë të dhunës fizike ndaj dy të rinjve nga Saraji. Autoritetet ndërhynë në kohë rekord, duke iniciuar masa disiplinore ndaj tyre. Ministria e Punëve të Brendshme ka përmbyllur kompetencat e veta në këtë fazë, ndërsa procesi vijon nën udhëheqjen e Prokurorisë, sipas njoftimit të lëshuar nga koalicioni VLEN.
"Brutaliteti policor nuk ka vend në shoqërinë tonë. Uniforma ekziston për të garantuar sigurinë e qytetarit dhe jo për ushtruar dhunë ndaj tij. Asnjë rrethanë apo dyshim ndaj një personi nuk e justifikon keqtrajtimin", thuhet në reagim.
Më tej, nga VLEN theksojnë se menjëherë pas publikimit të pamjeve filmike, opozita shqiptare u përpoq ta instrumentalizojë ngjarjen për qëllime politike, duke nisur fushatë akuzash dhe tentativa për t'i dhënë ngjyrime etnike rastit.
"Pezullimi i gjashtë efektivëve është dëshmi e qartë se institucionet funksionojnë. Kjo është një fitore e integritetit mbi manipulimet dhe e arsyes së shëndoshë kundër çdo përpjekjeje për të stimuluar tensione ndëretnike", vlerësojnë nga VLEN.
Në kundërpërgjigjen e tyre, përfaqësuesit e këtij koalicioni i janë drejtuar BDI-së, duke përmendur dy dekadat e tyre në pushtet dhe ngjarjet e rënda të ndodhura gjatë asaj periudhe, të lidhura me organet e rendit dhe drejtësisë, që sipas tyre qytetarët nuk i kanë harruar.
"Nuk harrohet rasti 'Sopoti', ku qytetarët u lanë të vuanin dënimet në burgje. Nuk harrohet djegia e dyqaneve të shqiptarëve, ndërkohë që ju shërbenit si dekor në pushtet. Nuk harrohet 'Monstra', as fyerja ndaj shqiptarëve me termin 'indijanci'. Nuk harrohet humbja e jetës së Rexhail Qerimit në qeli, vrasja e Harun Aliut dhe ajo e Xhemail Rexhepit (Komandant Shqiponjës). Për të gjitha këto ngjarje dhe shumë të tjera, çfarë bëtë ju? Asgjë, vetëm heshtët!", deklarojnë nga VLEN.
Në mbyllje të reagimit, subjekti politik thekson se pavarësisht përpjekjeve për t'i fshirë këto ngjarje nga memoria kolektive, qytetarët i mbajnë mend mirë, duke e cilësuar opozitën e kaluar si një parti me mëkate të rënda nga themelet e saj.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: