Kronikë
Dritë jeshile për “Radio Policia”: KPM-ja miraton transmetimin eksperimental, në fokus njoftimet e trafikut
Reklamë e Sponsorizuar
Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) ka votuar pro me gjashtë vota kërkesës së paraqitur nga Policia e Kosovës për nisjen e transmetimit eksperimental të “Radio Policia e Kosovës”. Ky projekt synon kryesisht ngritjen e vetëdijes dhe informimin e qytetarëve lidhur me sigurinë publike dhe atë në rrugë.
Ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të KPM-së, Namon Racaj, ka bërë të qartë se ky vendim nuk nënkupton pajisjen me licencë të një transmetuesi të ri mediatik, por përfaqëson një fazë testimi të kapaciteteve teknike dhe skemës programore përmes metodave alternative të transmetimit.
Sipas Racajt, autorizimi mund të lëshohet fillimisht për një periudhë njëvjeçare, me opsion vazhdimi për një vit tjetër, ndërkohë që provat do të fokusohen te shtrirja e sinjalit, cilësia e tij dhe lloji i përmbajtjeve që do të transmetohen.
Në anën tjetër, kryesuesi i KPM-së, Besnik Berisha, e ka cilësuar këtë iniciativë si një mundësi kyçe për të provuar sistemin e lajmërimeve të trafikut përmes valëve të radios, duke sjellë në vëmendje pakënaqësitë e kaluara të qytetarëve lidhur me ndërprerjen automatike të kanaleve gjatë dhënies së njoftimeve rrugore.
Berisha ka kërkuar që gjatë kësaj periudhe testuese t'i kushtohet vëmendje e madhe pikërisht kësaj dukurie, e cila ka qenë objekt diskutimesh të hershme brenda institucionit të KPM-së.
Megjithatë, kjo nismë ka ngjallur edhe debate dhe reagime të ashpra në opinionin publik. Juristja e mediave, Flutura Kusari, e cila e kishte paralajmëruar këtë zhvillim gjatë ditës së diel, e ka quajtur atë si një nga hapat më propagandues politikë.
“Radio Policia apo Radio Propaganda Shtetërore? Jam informuar se Policia e Kosovës po planifikon hapjen e Radio Policisë. Kjo është një nga iniciativat më të mëdha propaganduese politike, me pasoja të pamatshme për indoktrinimin e publikut përmes propagandës shtetërore. Shteti po e hapë median e saj në kundërshtim flagrant me parimet e organizatave ndërkombëtare të cilat janë kundër hapjes së mediave shtetërore. Me aq sa posedoj informacione, Kosova do të bëhet shteti i vetëm në Europë me media shtetërore!”, kishte deklaruar ajo.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: