Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Politikë

Tiranë-Izrael: Lidhja historike dhe partneriteti strategjik në qendër të vizitës së ministrit Sa’ar

Redaksia Lajmetereja • 12-10-2026 11:21
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Tiranë-Izrael: Lidhja historike dhe partneriteti strategjik në qendër të vizitës së ministrit Sa’ar
Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me homologun e tij izraelit, Gideon Sa’ar, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, deklaroi se Shqigëria qëndron e palëkundur në mbështetje të paqes dhe dialogut global. Ai dënoi ashpër sulmet iraniane, duke i cilësuar ato si një kërcënim të drejtpërdrejtë për stabilitetin dhe sigurinë e rajonit. Gjatë fjalës së tij, kryediplomati shqiptar shprehu falënderimet për asistencën e dhënë nga Izraeli në përmirësimin e mbrojtjes kibernetike të vendit tonë, pas agresionit digjital të Iranit gjatë vitit 2022. Hoxha përsëriti gjithashtu qëndrimin e prerë të shtetit shqiptar për shkëputjen e çdo lidhjeje diplomatike me Teheranin, i cili tashmë zyrtarisht konsiderohet si një entitet që mbështet terrorizmin. Në këtë takim u vu sërish theksi te miqësia e hershme ndërmjet dy popujve, duke evokuar traditën e Besës gjatë periudhës së Holokaustit, kohë kur shqiptarët strehuan dhe mbrojtën familjet hebreje. Në vijim, po ju sjellim deklaratën e plotë të Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme: Është një kënaqësi e veçantë t’ju mirëpres në Tiranë, Ministër Sa’ar. Mirë se erdhët në Shqipëri! Sipas të dhënave tona, ju jeni ministri i tretë i Jashtëm i Izraelit që vizitoni Shqipërinë. Mund të themi me plot të drejtë: i treti, i vërteti! Dhe kemi arsye ta themi këtë, sepse, siç sapo ramë dakord, ky moment shënon pikën më të lartë të marrëdhënieve tona. Ai jo vetëm konfirmon miqësinë e kahershme mes dy vendeve tona, por dëshmon edhe për një partneritet në rritje, që po thellohet e forcohet më tej. Sot rikonfirmuam angazhimin tonë të palëkundur, si dhe vullnetin e përbashkët politik dhe dëshirën gjithnjë në rritje për ta forcuar më tej partneritetin tonë. Sapo nënshkruam Marrëveshjen për Bashkëpunimin e Përgjithshëm ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Shtetit të Izraelit. Kjo marrëveshje shënon një tjetër hap të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet vendeve tona. Ajo krijon një mekanizëm të strukturuar përmes të cilit vendet tona do të zgjerojnë bashkëpunimin në disa fusha me interes të ndërsjellë, përfshirë ekonominë dhe tregtinë, inovacionin dhe teknologjinë, bujqësinë, menaxhimin e ujërave, energjinë, shëndetësinë, arsimin, sigurinë, turizmin dhe kulturën. Ajo hap mundësi të reja për institucionet tona që të punojnë së bashku dhe të sjellin përfitime të qëndrueshme për qytetarët tanë. Siguria mbetet një shtyllë kyçe e partneritetit tonë. Shqipëria dhe Izraeli i kushtojnë rëndësi të veçantë luftës kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, luftës kundër antisemitizmit, përballimit të kërcënimeve hibride dhe rreziqeve të reja ndaj sigurisë kombëtare. Në këtë drejtim, bashkëpunimi ynë në fushën e sigurisë kibernetike ka marrë një rëndësi të veçantë vitet e fundit. I jemi thellësisht mirënjohës Izraelit për mbështetjen e çmuar që i ka dhënë Shqipërisë në forcimin e kapaciteteve tona të mbrojtjes kibernetike, pas sulmeve brutale kibernetike të Iranit dhe grupeve të lidhura me të, në vitin 2022, kundër infrastrukturës sonë kryesore dixhitale. Që prej asaj kohe, kemi vijuar të investojmë në qëndrueshmërinë e infrastrukturës sonë dixhitale dhe do ta forcojmë më tej bashkëpunimin me Izraelin në këtë fushë jetike. Partneriteti ynë po zgjerohet edhe në fushën ekonomike. Ne shohim potencial të konsiderueshëm për diversifikimin dhe forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe na inkurajon interesi gjithnjë në rritje i bizneseve dhe investitorëve izraelitë për Shqipërinë, veçanërisht në infrastrukturë, agrobiznes, teknologji, inovacion dhe energji, por edhe në shëndetësi. Lidhjet mes njerëzve janë gjithmonë në zemër të çdo partneriteti të qëndrueshëm.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar