Kronikë
Tragjedia në Pogragjë: Detaje të reja nga Prokuroria për 53-vjeçarin që qëlloi për vdekje të birin
Reklamë e Sponsorizuar
Prokuroria Themelore në Gjilan ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me krimin e rëndë që tronditi opinionin publik mbrëmjen e së dielës në fshatin Pogragjë, ku një 53-vjeçar dyshohet se ka ekzekutuar djalin e tij 29-vjeçar.
Sipas organit të akuzës, ngjarja tragjike u regjistrua më 11 tetor, rreth orës 19:20, ndërkohë që motivet që çuan në këtë akt ende mbeten plotësisht të panjohura.
I dyshuari, Remzi Arifi, dyshohet se ka përdorur armë zjarri për t'i marrë jetën të birit, B.A. Pas këtij veprimi makabër, ai është arratisur dhe aktualisht ndodhet në kërkim nga organet e rendit.
"Në vendin e ngjarjes kanë marrë pjesë të gjitha ekipet relevante Policore, si dhe Prokurori i Shtetit, ku janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, me qëllim të zbardhjes së rastit. Gjithashtu, është kryer kontrolli i shtëpisë së të dyshuarit R.A, ku gjatë kontrollit dhe ekzaminimit të vendit të ngjarjes janë sekuestruar 3 (tri) pushkë gjuetie me leje – afat të skaduar. I dyshuari, pas kryerjes së veprës penale është larguar nga vendi ngjarjes dhe i njëjti gjendet në arrati", theksohet në komunikatën zyrtare.
Ndërkaq, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar kryerjen e autopsisë për trupin e pajetë të viktimës, për të përcaktuar shkaqet e sakta të vdekjes.
Në njoftimin e Prokurorisë bëhet e ditur gjithashtu se as i dyshuari dhe as viktima nuk kanë pasur ndonjë të kaluar kriminale, dhe se deri më tani nuk ka pasur asnjë raportim të mëparshëm për dhunë në familje mes tyre.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: