Botë
Bashkimi Evropian i jep një mesazh të prerë Prishtinës: Ndryshimet në Ligjin e Speciales, të papranueshme
Reklamë e Sponsorizuar
Komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka deklaruar se çdo ndryshim në Ligjin për Dhomat e Specializuara bie ndesh me detyrimet themelore të Kosovës ndaj Bashkimit Evropian dhe për këtë arsye mbetet plotësisht i papranueshëm.
Këto deklarata të forta, Kos i bëri para nisjes së takimit të Ministrave të Jashtëm të BE-së në Luksemburg, ku vuri në dukje se modifikimi i rregullave gjatë një procesi gjyqësor aktiv përbën shkelje të qartë të standardeve ndërkombëtare të sundimit të ligjit.
"Dua të jem e qartë se ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara në Kosovë bien ndesh me detyrimet themelore të Kosovës ndaj BE-së. Kjo është e papranueshme," u shpreh ajo, duke përcjellë njëkohësisht një paralajmërim të qartë për ritmin e integrimit evropian.
"Mesazhi im është shumë i thjeshtë. Zgjerimi evropian po ecën përpara. Nëse vendet kandidate bëjnë hapa prapa, ato nuk janë në rrugën e duhur dhe nuk do të mund të bëhen anëtare të BE-së," shtoi tutje zyrtarja e lartë evropiane.
Reagimi i Brukselit vjen pasi Kuvendi i Kosovës, të martën e javës së kaluar, miratoi ndryshimet e propozuara në Ligjin për Gjykatën Speciale.
Ky hap ligjor u ndërmarrë me iniciativë të Partisë Demokratike e Kosovës, si reagim ndaj vendimit të Gjykatës Speciale e cila dënoi me gjithsej 81 vjet burgim krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në bazë të atij vendimi, Hashim Thaçi u dënua me 25 vjet burgim, Jakup Krasniqi me 25, Kadri Veseli me 18 vjet, kurse Rexhep Selimi u dënua me 13 vjet heqje lirie.
Aktgjykimi i Gjykatës Speciale është kundërshtuar fuqishëm nga shqiptarët në Kosovë, të cilët kanë organizuar protesta për 21 ditë radhazi për të shprehur pakënaqësinë e tyre.
Vala e pakënaqësive dhe protestave kundër këtij vendimi është shtrirë edhe jashtë kufijve të vendit, duke u organizuar nga diaspora shqiptare në shtete të ndryshme të botës.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: