Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Kronikë

Ndjekje filmike nga Kapshtica në Gramsh: Trafikantët përplasin mjetet e policisë, bllokohen 15 emigrantë

Redaksia Lajmetereja • 26-09-2026 13:24
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Ndjekje filmike nga Kapshtica në Gramsh: Trafikantët përplasin mjetet e policisë, bllokohen 15 emigrantë
Një operacion i gjerë i Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit të Korçës, në bashkëpunim me strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, Komisariatin e Gramshit dhe atë të Numër 5 në Tiranë, ka çuar në prishjen e një skeme të trafikut të paligjshëm të emigrantëve. Aksioni, i shtrirë nga fshati kufitar Kapshticë i Devollit deri në qytetin e Gramshit, nisi pasi autoritetet diktuan dy automjete luksoze tip “Audi Q7”, që dyshohet se kishin marrë në ngarkim një grup shtetasish të huaj. Pasi drejtuesit e automjeteve nuk i janë bindur urdhrit të qartë për ndalim, forcat e rendit janë vënë menjëherë në ndjekje të tyre. Gjatë itinerarit, në afërsi të fshatit Lozhan të Maliqit, autorët kanë braktisur rreth 15 emigrantë të paligjshëm, duke u arratisur me shpejtësi drejt Gramshit në tentativë për t'i shpëtuar prangave të policisë. Në hyrje të Gramshit, të dyshuarit janë përballur me një postbllok të ngritur nga efektivët, ku nuk kanë ngurruar të përplasin dy mjete të patrullave, duke vënë në rrezik serioz jetën e punonjësve të policisë. Pavarësisht kësaj, ata kanë vijuar lëvizjen përpara se t'i braktisnin të dyja automjetet “Audi Q7” në dy fshatra të ndryshme të këtij rrethi. Grupi i emigrantëve është zbuluar më vonë i fshehur brenda një përruaji pranë Lozhanit, ndërkohë që makinat e përdorura për transportin e tyre drejt kryeqytetit janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Policia ka arritur të identifikojë dy shoferët, të cilët tashmë janë shpallur në kërkim, kurse një person i tretë është vënë nën hetim në gjendje të lirë. Autoritetet po vijojnë intesivisht aksionin për kapjen e personave të arratisur dhe zbardhjen e plotë të rrjetit kriminal.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar