Sport
Hapat e parë për UNESCO: Ministri Gonxhja bashkon forcat me Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut për rajonin e Prespës
Reklamë e Sponsorizuar
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka zhvilluar ditën e sotme një takim të rëndësishëm me ministrat homologë të Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, me qëllim nisjen zyrtare të punës për futjen e rajonit të Prespës në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Ky nismë e përbashkët ndërshtetërore do të gjejë mbështetje financiare nga Bashkimi Europian, i cili ka akorduar një fond prej 2 milionë eurosh enkas për realizimin e studimit të fizibilitetit të kandidaturës.
Në fjalën e tij, ministri Gonxhja u shpreh se takimi u mbajt në bashkinë e Prespës në Greqi, në prani të ministres së Kulturës të Greqisë, Lina Mendoni, dhe ministrit të Kulturës dhe Turizmit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Sulejmani, për të nisur këtë rrugëtim të përbashkët.
"Prespa na bashkon përmes natyrës, historisë dhe kulturës së saj. Duam ta mbrojmë këtë pasuri dhe të krijojmë më shumë mundësi për komunitetet që jetojnë këtu dhe më shumë turizëm të qendrueshëm," theksoi ai, duke shtuar se Bashkimi Europian do të vërë në dispozicion 2 milionë euro për hartimin e studimit të fizibilitetit për këtë kandidaturë trishtetërore.
Gonxhja vuri në dukje se në territorin shqiptar tashmë janë realizuar disa ndërhyrje kyçe që kanë pasuruar ofertën kulturore dhe turistike, duke përmendur restaurimin e pikturave murale dhe ndriçimin e Kishës së Shën Marisë në Maligrad, ndriçimin e shtegut, si dhe funksionalizimin e Shtëpisë Muze të Sterjo Spasses në Gollomboç.
Gjithashtu, përmes projektit ACT4PRESPA të financuar nga BE, po bashkohen forcat e institucioneve të të tria shteteve për ruajtjen, digjitalizimin dhe promovimin e vlerave unike të trashëgimisë në Prespën e Madhe dhe të Vogël.
Në vijim të planeve për rajonin, ministri bëri të ditur synimin për krijimin e shtigjeve të përbashkëta turistike, organizimin e ekspeditave dhe misioneve kërkimore për njohjen e Prespës dhe Ohrit, si dhe nxitjen e shkëmbimeve artistike, sportive dhe rinore me vendet fqinje.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: