Sport
ASH kërkon zbatimin e menjëhershëm të marrëveshjeve: Shqiptarët nuk do të presin edhe një dekadë
Reklamë e Sponsorizuar
Aleanca për Shqiptarët (ASH) ka theksuar se ndonëse shqiptarët kanë dëshmuar respekt ndaj identitetit dhe gjuhës maqedonase, është koha që edhe detyrimet ndërkombëtare të gjejnë zbatim të plotë.
"Ne shqiptarët gjithmonë kemi respektuar dhe mbështetur identitetin, gjuhën dhe dinjitetin e bashkëqytetarëve tanë maqedonas, edhe kur ky respekt nuk ka qenë i ndërsjellë. Ne nuk kemi kontestuar kurrë identitetin e tyre, ndërsa vetë vazhdojmë të përkufizohemi në Kushtetutë me formulimin nënçmues prej 20 për qind", thuhet në reagimin e kësaj partie.
Nga ASH shtojnë se shqiptarët përbëjnë pothuajse një e treta e popullsisë në vend. "Nuk jemi mysafirë në këtë shtet dhe nuk do të pranojmë të mbahemi peng i kalkulimeve politike të askujt!"
Duke iu referuar obligimeve institucionale, kjo forcë politike thekson se marrëveshjet duhet të respektohen. "Marrëveshja është marrëveshje! Detyrimet e vitit 2022 duhet të zbatohen, i pëlqen apo jo Mickoskit. Frika nga kushtet hipotetike të Bullgarisë nuk mund të shërbejë si justifikim për bllokimin e së ardhmes evropiane."
Sipas ASH-së, llogaritë politike të kryeministrit aktual nuk do të rezultojnë të suksesshme në planin afatgjatë. "Mickoski ishte në pozitë më të favorshme në vitin 2024 sesa është sot, në vitin 2026. Nëse vazhdon kështu, në vitin 2028 me shumë gjasë do të jetë në pozitë edhe më të dobët. Koha po dëshmon se sa më gjatë zvarritet procesi, aq më shtrenjtë e paguajnë të gjithë qytetarët, pa dallim etnie.
Në fund, nga Aleanca për Shqiptarët ngrenë alarmin për gjendjen socio-ekonomike dhe largimin e qytetarëve. "Rinia po ikën, familjet po shpërngulen, ndërsa politika vazhdon të blejë kohë. Një dekadë na e humbi Gruevski. Shqiptarët nuk do të presin edhe një dekadë tjetër për Mickoskin", përfundon deklarata e ASH-së.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: