Politikë
Kriza politike rrezikon fondet e BE-së: Kosova ka më pak se tre muaj kohë për reformat milionëshe
Reklamë e Sponsorizuar
Pas konstituimit të plotë të institucioneve të reja, Kuvendit dhe Qeverisë u bëhet thirrje urgjente që të fokusohen te zbatimi i reformave të parashikuara në Planin e Rritjes të Bashkimit Evropian. Autoritetet në Prishtinë kanë në dispozicion më pak se tre muaj për të përmbyllur detyrimet e domosdoshme, në të kundërtën rrezikohet humbja e fondeve që kapin vlerën e mbi 100 milionë eurove.
Ekspertët e kësaj fushe vlerësojnë se bllokada politike dhe vakuum institutional kanë prodhuar vonesa të ndjeshme, duke ngritur dyshime serioze mbi mundësinë e arkëtimit të këtyre mjeteve financiare brenda afateve të përcaktuara.
“Këtu kemi të bëjmë me 27 hapa reformues dhe ato vlejnë në total diku 166 milionë euro. Një pjesë e reformave janë përfunduar, por pasi ka pasur kriza politike, shumë ligje nuk kanë kaluar, andaj kriza politike na ka kushtuar financiarisht me humbje nga agjenda e reformave”, u shpreh Besar Gërgi nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike.
Ndërkaq, njohësi i zhvillimeve politike, Ardian Zeqiri, theksoi se paketa legjislative nuk është përmbyllur ende. “Pakoja e ligjeve nuk është e finalizuar. Ky është proces i cili nuk shkon shpejt. Është një procedurë që e kërkon kohën e vet dhe Kosova është mbrapa. Nëse nuk rinegociohet dedlini i dhjetorit, rreziku është që të humbasin mjetet”, deklaroi ai.
Analistët insistojnë se instancat shtetërore duhet të intensifikojnë punën dhe të qartësojnë prioritetet për të përmbushur detyrimet e dala nga agjenda reformuese.
Në këtë linjë, deputetët e Kuvendit të Kosovës gjatë kësaj jave kanë dhënë dritën jeshile për disa prej ligjeve kyçe që shërbejnë si parakusht për zhbllokimin e ndihmës financiare nga Bashkimi Evropian.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: