Politikë
Arben Gashi bën thirrje për kthesë në LDK: Pas akteve të fundit politike, praktika e demonizimit të kundërshtarëve duhet të marrë fund
Reklamë e Sponsorizuar
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, e ka cilësuar bashkëpunimin e fundit ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës, i cili rezultoi me zgjedhjen e Presidentes së re, si përmbyllje të një faze tranzicioni dhe nisje të një kapitulli të ri në skenën politike vendase.
Sipas Gashit, muajt e ardhshëm do të shërbejnë si provë për këtë dinamikë të re, ndërsa ka theksuar se aleancat mes subjekteve politike nuk duhet të përdoren më si mjet për të sulmuar apo demonizuar oponentët.
“Pas bashkëpunimit të fundit formal mes LVV-së dhe PDK-së, ka ardhur koha që bashkëpunimi politik të mos jetë më arsye për demonizimin e kundërshtarëve. Rëndësi ka për çfarë bashkëpunojmë dhe çfarë sjellim për vendin. Tash është koha që qeverisja të matet me rezultate, e jo me arsyetime dhe fajësime të së kaluarës. Qytetarët presin zhvillim, siguri dhe shpresë për të ardhmen”, ka deklaruar ai.
Lidhur me subjektin e tij politik, deputeti Gashi ka nënvizuar se LDK-ja ndodhet në një moment vendimtar për të përcaktuar qartësisht trajektoren e saj të ardhshme.
“Pa vija të kuqe të përhershme, por me parime të qarta. Të kaluarën nuk e harrojmë, por të ardhmen nuk duhet ta mbajmë peng të saj. Këtu fillon rilindja jonë: me më shumë besim, bashkim dhe një politikë moderne, që i përfaqëson qytetarët dhe u jep shpresë për të ardhmen. Koha është tash. Koha është për LDK-në”, ka shkruar ndër të tjera Gashi.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: