Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Kronikë

Valë arrestimesh në Poloni pas alarmit për sulme në shkolla dhe kërcënimeve në rrjet

Redaksia Lajmetereja • 09-10-2026 13:41
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Valë arrestimesh në Poloni pas alarmit për sulme në shkolla dhe kërcënimeve në rrjet
Autoritetet ligjzbatuese në Poloni kanë vënë në pranga disa persona, kryesisht të mitur, të cilët dyshohen për përhapjen e kërcënimeve me dhunë ndaj institucioneve arsimore. Këto masa të jashtëzakonshme vijnë pas dy ngjarjeve të rënda me armë të ftohta që tronditën vendin brenda vetëm 48 orëve, ku një person mbeti i vdekur dhe disa të tjerë u plagosën. Sipas informacioneve të konfirmuara, aksioni i gjerë i policisë u ndërmarrë të premten, më 9 tetor, ndërsa forcat e rendit janë vënë në lëvizje për të qetësuar opinionin publik pas paralajmërimeve shqetësuese në rrjetet sociale për një ngjarje të quajtur “E Premte e Përgjakshme”. Si pjesë e strategjisë parandaluese, policia polake ka angazhuar efektivë të saj në rreth 10 mijë shkolla anembanë vendit. Ndër të ndaluarit është edhe një 13-vjeçar nga Varshava, i cili kishte shpërndarë imazhin e një thike në grupin e bisedës të klasës, duke u bërë thirrje kërcënuese nxënësve të tjerë. Po ashtu, një tjetër i mitur 14-vjeçar u kap në flagrancë brenda shkollës së tij në kryeqytet, pasi mbante me vete një thikë dhe lëndë piroteknike. Policia ka arrestuar gjithashtu dy adoleshentë 15-vjeçarë në zonën e Pruszków, pranë Varshavës, të cilët kishin publikuar një video me mesazhe kërcënuese për vrasje. Këto ndërhyrje pasuan dy sulme brutale në shkolla në rajonin verilindor të Polonisë. Të enjten, një 15-vjeçar që ka qenë ish-nxënës i shkollës, i pajisur me një kamerë në helmetë, sulmoi një shkollë fillore në Leszczydol-Nowiny, në verilindje të Varshavës, duke lënë të vdekur një punonjës dhe duke plagosur dy të tjerë. Vetëm një ditë më parë, të mërkurën, një 19-vjeçar plagosi 10 persona, përfshirë edhe veten, gjatë një sulmi të ngjashëm në një institucion arsimor në Ostroleka. Pas kësaj situate alarmante, në platformat online u përhapën zëra se këto ngjarje ishin pjesë e një sfide të koordinuar në internet. Megjithatë, policia polake ka bërë të ditur se hetimet e deritanishme nuk dëshmojnë për ekzistencën e ndonjë komploti apo organizimi të tillë në nivel kombëtar. Ministri i Çështjeve Digjitale të Polonisë, Krzysztof Gawkowski, gjatë një paraqitjeje në televizionin privat TVN24, tërhoqi vëmendjen ndaj valës së dezinformatave që po ushqejnë panikun te qytetarët. “Në internet po qarkullojnë shumë dezinformata të ngarkuara emocionalisht, reagime spontane që lindin nga një ankth i kuptueshëm, por nuk ka asnjë shenjë se po zhvillohet ndonjë ‘sfidë’ në shkallë kombëtare,” u shpreh ai. Megjithatë, ministri pranoi se autoritetet nuk e përjashtojnë mundësinë që individë të caktuar të komunikojnë mes vete për të kurdisur sulme ose për të imituar ngjarjet e fundit, ndonëse mungojnë provat për një rrjet të koordinuar. “Nuk mund ta përjashtojmë mundësinë që 1, 2 ose 3 individë të komunikojnë në një grup, duke hartuar një plan, ose që të shfaqet dikush që imiton sulmet. Megjithatë, nuk shohim prova për një kërcënim nga një grup njerëzish që po koordinohen për t'i bërë keq dikujt sot,” theksoi Gawkowski. Në anën tjetër, Byroja Qendrore për Luftimin e Krimit Kibernetik në Poloni ka konfirmuar se është vënë në dijeni të postimeve në një llogari të TikTok-ut, e cila pretendohej se i përkiste autorit të sulmit të së enjtes. “Zyrtarët e Byrosë Qendrore për Luftimin e Krimit Kibernetik janë në dijeni të përmbajtjes së publikuar në llogarinë përkatëse të TikTok-ut,” bëri me dije institucioni përmes një komunikate me shkrim, duke shtuar se po bashkëpunon ngushtë me platformën. Llogaria në fjalë duket se është fshirë, pasi ajo nuk është gjetur më nga agjencia e lajmeve gjatë verifikimeve. Përfaqësuesit e TikTok-ut nuk kanë kthyer ende ndonjë përgjigje zyrtare lidhur me kërkesën për koment. Ndërkohë, autoritetet polake u bëjnë thytje të gjithë qytetarëve që të tregojnë kujdes dhe të shmangin shpërndarjen e informacioneve të pakonfirmuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar