Kronikë
Afera e spiunazhit: Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi deklarohen sërish të pafajshëm, prokuroria premton prova të forta kundër tyre
Reklamë e Sponsorizuar
Ka nisur nga e para procesi gjyqësor ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit, të cilët akuzohen për veprën penale të spiunazhit. Gjatë seancës së re, të dy të pandehurit janë deklaruar edhe një herë se janë të pafajshëm për akuzat që u rëndojnë.
Kryetari i trupit gjykues, Rrahman Beqiri, ka nominuar ndryshimin në përbërjen e Gjykatës. Për shkak të pensionimit të afërt të anëtarit të trupit gjykues, Vesel Ismajli, në vend të tij është caktuar gjykatësja Donika Shala-Abdyli, çka ka sjellë edhe përsëritjen formale të gjykimit nga fillimi.
Në fjalën e tij, prokurori special Bekim Kodraliu ka theksuar se provat e mbledhura gjatë hetimeve dhe ato që do të administrohen në gjykatë do të dëshmojnë qartë se dy të pandehurit kanë bashkëpunuar dhe i kanë shënuar interesave të Agjencisë Informative të Serbisë (BIA).
“Raportet për hyrje daljet për Serbi dhe kthimi në të njëjtën ditë në Kosovë, dokumentacione dhe fotoalbume, që përmbajnë foto të luftës së Kosovës, diagrame, fotografi të përgatitura, e në veçanti provat materiale të cilat janë gjetur në posedim tek i pandehuri Bedri Shabani, do të vërtetohet se i njëjti që spitalin e Mollopolcit, ta ndërlidhë me shtëpinë e ashtuquajturën Shtëpia e Verdhë, në Shqipëri. Gjatë administrimit të provave, do të vërtetohet që i pandehuri Bedri Shabani nga një datë e pacaktuar e deri në arrestimin e tij 05.06.2024, e ka ndihmuar BIA-në përmes Srgjan Rosiqit, në formën e mbledhjes dhe dërgimit të informacioneve, dokumenteve dhe librave që kanë të bëjnë më ngjarjet të UÇK-së. Këto veprime i ka ndërmarrë përmes komunikimit telefonik dhe takimeve fizike me Srgjan Rosiqit”, ka sqaruar prokurori Kodraliu.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) kishte ngritur aktakuzë zyrtare ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit më 19 shkurt 2025. Ata dyshohen se kanë grumbulluar dhe transferuar informacione të ndjeshme dhe dokumente te shërbimi sekret serb BIA, të cilat kishin në fokus Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, strukturën e saj drejtuese dhe ushtarët, Policinë e Kosovës, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, Inspektoratin Policor, si dhe ngjarje e lokacione të veçanta, përfshirë edhe masakrën e Reçakut.
Sipas hetimeve të PSRK-së, ky rrjet synonte nxitjen e një konflikti të gjerë ndëretnik brenda Republikës së Kosovës, ndërtimin e një narrative të rreme për të lidhur Spitalin Ushtarak të UÇK-së me të ashtuquajturën “Shtëpi e Verdhë” në Shqipërinë fqinje për pretendime rreth trafikimit të organeve, si dhe përpjekje për të hedhur dyshime mbi të vërtetën e krimeve të kryera në masakrën e Reçakut.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: