Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Botë

SHBA: Po planifikohet transmetimi live i pushkatimit të ish-majorit që vrau 13 ushtarë

Redaksia Lajmetereja • 09-10-2026 10:21
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
SHBA: Po planifikohet transmetimi live i pushkatimit të ish-majorit që vrau 13 ushtarë
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka bërë të ditur se qytetarët mund të kenë mundësinë të ndjekin në kohë reale ekzekutimin me pushkatim të Nidal Hasan, ish-majorit të ushtrisë që u shpall fajtor për masakrën e vitit 2009, ku humbën jetën 13 ushtarë. Sipas një zyrtari të lartë të Departamentit të Mbrojtjes, ngjarja pritet të transmetohet drejtpërdrejt në internet. Nëse ky plan jetësohet, do të përbëjë një precedent tejet të pazakontë për Shtetet e Bashkuara, ku praktika e ekzekutimeve publike ka munguar për pothuajse një shekull. Në vitin 2009, Hasan, i cili punonte si psikiatër ushtarak, hapi zjarr brenda një qendre mjekësore në bazën Fort Hood të Teksasit, duke lënë të vrarë 13 ushtarë të pambrojtur. Pentagoni ka caktuar datën 3 dhjetor për këtë ekzekutim pikërisht në Fort Hood. Ky do të shënojë dënimin e parë me vdekje të ekzekutuar nga ushtria amerikane në më shumë se gjashtë dekada, si dhe pushkatimin e parë ushtarak që prej vitit 1945. Megjithatë, kjo nismë për transmetim të hapur ka ndezur debate të ashpra. Zyra e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut ka paralajmëruar se një praktikë e tillë përbën praktikisht një ekzekutim publik dhe bie ndesh me ndalimin absolut të torturës. Kritika të ashpra ka dhënë edhe senatori demokrat Chris Murphy, i cili e cilësoi këtë ide si të pështirë, duke e krahasuar me metodat e përdorura nga organizata terroriste Shteti Islamik. Sekretari Pete Hegseth konfirmoi se dënimi do të zbatohet nga një skuadër qitësish ushtarakë. I pyetur nëse i dënuari ka bërë ndonjë kërkesë të fundit apo ka tentuar të kontaktojë me presidentin Donald Trump, ai u përgjigj shkurt se kjo nuk ka asnjë rëndësi. Nga ana e tij, Pentagoni njoftoi se Presidenti Trump e ka miratuar sugjerimin për këtë ekzekutim, ndonëse mbetet ende e paqartë nëse kreu i shtetit mbështet edhe idenë e transmetimit direkt të tij. Alonzo Lunsford, një ish-rreshter që mbijetoi mrekullisht nga sulmi pasi u qëllua shtatë herë, shprehu mbështetjen e tij për pushkatimin, duke e quajtur një ndëshkim të merituar. Ai ka manifestuar dëshirën për të qenë i pranishëm personalisht, në mënyrë që Hasan ta shikojë në sy para se t'i jepet fund jetës. “Dua që ai ta kuptojë se ka dështuar. Unë jam ende gjallë”, u shpreh Lunsford. Edhe pse e përkrah dënimin, ai ka rezerva për një transmetim të hapur për publikun e gjerë, nga frika e ndikimit që mund të kenë këto pamje te gjeneratat e reja. Sipas tij, aksesi në këtë ngjarje duhet t'u lejohet vetëm familjarëve të viktimave dhe atyre që i mbijetuan plagëve. Nga ana tjetër, ekspertët ligjorë shprehin skepticizëm mbi mundësinë e zbatimit të këtij plani në datën e caktuar. Avokati John Mills argumenton se procesi gjyqësor dhe ankimor i Hasanit nuk ka përfunduar plotësisht, dhe një kërkesë e re në gjykatat federale mund ta pezullojë vendimin. Për këtë arsye, Mills vlerëson se paralajmërimi për transmetim live i ngjan më shumë një tentative për të marrë vëmendje mediatike sesa një hapi real drejt drejtësisë. Profesoresha e drejtësisë, Deborah Denno, rikujtoi se SHBA-ja nuk ka transmetuar kurrë më parë një ekzekutim të tillë, duke shtuar se një veprim i tillë do të sillte një nivel transparencë të paprecedentë në zbatimin e dënimit kapital.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar