Kronikë
Abdixhiku pas zhvillimeve të fundit: Vendimet e gjykatave nuk zhbëhen me një votim në Kuvend
Reklamë e Sponsorizuar
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, përmes një reagimi në rrjetet sociale, i është rikthyer zhvillimeve rreth nismës së miratuar në Kuvend, duke sjellë në vëmendje qëndrimin e hershëm të partisë së tij të shprehur më 5 tetor.
Sipas liderit të LDK-së, kanë mjaftuar më pak se 48 orë që të vërtetohet se premtimet e dhëna qytetarëve nuk mund të shndërrohen në realitet përmes një votimi të thjeshtë parlamentar. Ai theksoi se partia e tij kishte paralajmëruar qysh në fillim se modifikimi i ligjeve të zakonshme nuk mund të anashkalojë Kushtetutën, detyrimet ndërkombëtare dhe arkitekturën juridike mbi të cilën funksionojnë Dhomat e Specializuara.
Duke e cilësuar luftën e UÇK-së si të shenjtë për LDK-së, Abdixhiku vlerësoi se institucionet duhet të tregojnë seriozitet dhe maturi të lartë, duke mbrojtur njëkohësisht të drejtat e të akuzuarve dhe interesat afatgjata të Republikës së Kosovës.
"Ende pa u mbushur 48 orë, qenkan habitur që ligji nuk prodhon efektin juridik që ju premtuan. Që e gjithë kjo nismë e ide ishte veç një mashtrim me emocionet e një populli të lënduar," ka shkruar ndër të tjera kreu i LDK-së, duke shtuar se e vërteta nuk lëkundet pavarësisht zhurmës politike.
Në vijim të reagimit, është publikuar sërish ekstrakti i qëndrimit zyrtar të LDK-së të datës 5 tetor në Kuvend, ku theksohet se familjeve dhe qytetarëve u detyrohet sinqeritet dhe se nuk mund të premtohet diçka që nuk ka bazë ligjore për t'u jetësuar.
Në këtë dokument përsëritet se Dhomat e Specializuara mbështeten në korniza kushtetuese dhe ndërkombëtare, ndaj ndryshimet e thjeshta ligjore nuk mund t'i shfuqizojnë këto detyrime. LDK pati paralajmëruar se rreziqet juridike, politike dhe ndërkombëtare të një nisme të tillë do t'i mbeten barrë Kosovës, duke refuzuar të bëhet pjesë e asaj që e quajti si ushqim i shpresave të rreme mbi ndjenjat e qytetarëve.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: