Politikë
Abdixhiku pas zhvillimeve të fundit: Qytetarët u gënjyen, ne ju paralajmëruam në kohë
Reklamë e Sponsorizuar
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar ashpër lidhur me iniciativën për ndryshimin e ligjit që ka të bëjë me Dhomat e Specializuara, duke theksuar se pozicioni i subjektit që ai drejton ka qenë transparent që nga seanca e 5 tetorit në Kuvendin e Kosovës.
Kreu i LDK-së ka vlerësuar se opinion publik është mashtruar përmes premtimeve se këto ndryshime ligjore do të kishin fuqinë e duhur juridike, duke keqpërdorur emocionet e qytetarëve.
"Ende pa u mbushur 48 orë, qenkan habitur që ligji nuk prodhon efektin juridik që ju premtuan. Që e gjithë kjo nismë e ide ishte veç një mashtrim me emocionet e një populli të lënduar", ka shkruar Abdixhiku në reagimin e tij.
Më tej, ai ka drejtuar kritika edhe ndaj fushatës dhe sulmeve të drejtuara kundër LDK-së, duke rikujtuar se kjo parti kishte ngritur alarmin në lidhje me pasojat juridike, politike dhe ndërkombëtare të këtij hapi.
"Do ta kishit kuptuar me kohë, sikur në vend të vërsuljes ndaj LDK-së dhe shpalljes së saj si kundërshtare të UÇK-së, të dëgjonit çfarë po thonim", u shpreh ai.
Në vijim të reagimit, politikani ka ndarë një pjesë nga qëndrimi zyrtar i partisë i datës 5 tetor, ku ritheksohet se ndonëse lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është e shenjtë për LDK-në, ndryshimet e thjeshta ligjore nuk mund të zhbëjnë angazhimet kushtetuese dhe ndërkombëtare të vendit.
Sipas dokumentit zyrtar të LDK-së, vetë votimi i këtyre ndryshimeve në Kuvend nuk përbën garanci për zbatimin e tyre dhe as për arritjen e rezultatit që po u premtohet qytetarëve.
Në të njëjtën platformë, LDK-ja kishte tërhequr vërejtjen se nene e ndryshuara mund të konsiderohen jokushtetuese, nisma rrezikon të mbetet pa efektin e dëshiruar juridik, ndërsa faturën e pasojave politike dhe ndërkombëtare do ta mbajë vetë Kosova.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: