Sport
Ramón Vega hyn në garë: Ish-mbrojtësi zviceran sfidon Infantinon për kreun e FIFA-s
Reklamë e Sponsorizuar
Gara për postin më të lartë në futbollin botëror është zyrtarizuar, teksa zgjedhjet për presidencën e FIFA-s pritet të mbahen në marsin e ardhshëm në Marok. Ramón Vega është kandidati i parë që ka vendosur të dalë hapur kundër presidentit aktual, Gianni Infantino.
Në moshën 55-vjeçare, ish-mbrojtësi i kombëtares së Zvicrës, me një karrierë të pasur te klube si Tottenham dhe Cagliari, ka zyrtarizuar kandidaturën e tij. Ai synon të sjellë një frymë të re dhe ndryshim rrënjësor në qeverisjen e futbollit global.
Platforma e Vegës bazohet te reformat e thella, modernizimi i strukturave të FIFA-s dhe, mbi të gjitha, rimëkëmbja e besimit të humbur te ky institucion. Sipas tij, mënyra aktuale e menaxhimit ka cenuar rëndë kredibilitetin e organizatës dhe ka ndikuar negativisht në moralin e komunitetit futbollistik.
Ish-futbollisti zviceran beson se futbolli duhet t’u kthehet njerëzve dhe tifozëve, duke mos u konsideruar më si pronë e liderëve apo burokratëve. Përmes kësaj kandidature, ai shpreson të ribashkojë familjen e madhe të futbollit botëror.
Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që Vega tenton të bëhet pjesë e kësaj gare, pasi ai kishte shfaqur ambicie të ngjashme edhe në vitet 2015, 2019 dhe 2022, kur nuk arriti të siguronte mbështetjen e nevojshme. Për t'u bërë pjesë zyrtare e procesit zgjedhor, çdo kandidat duhet të ketë përkrahjen zyrtare të të paktën pesë federatave kombëtare.
Ndërkohë, Gianni Infantino është duke zhvilluar një fushatë intensive për të konsoliduar mbështetjen e tij nëpër botë. Nga ana tjetër, edhe UEFA po vlerëson mundësinë e mbështetjes së një alternative tjetër, ndonëse deri në këto momente nuk është shfaqur një emër me konsensus të gjerë.
Afati i fundit për dorëzimin e kandidaturave është 18 nëntori. Zgjedhjet e 18 marsit do të jenë vendimtare, pasi ato do të përcaktojnë jo vetëm fituesin e postit të presidentit, por edhe rrugëtimin që do të ndjekë sporti më popullor në botë në të ardhmen.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: