Botë
Avaria në Trepçë, kryeshefi Faton Ahmeti flet për fatin e minatorëve dhe pasojat në prodhim
Reklamë e Sponsorizuar
Kryeshefi ekzekutiv i ndërmarrjes “Trepça”, Faton Ahmeti, ka ndarë detaje mbi ngjarjen e rëndë të 7 tetorit, kur një defekt teknik la pa energji elektrike dy njësi kyçe të gjigantit metalurgjik, duke lënë të bllokuar në horizontin e tetë 63 minatorë.
Sipas tij, pas ndërhyrjes për riparimin e trafos dhe rikthimin e furnizimit me energji, të gjithë punëtorët dolën në sipërfaqe shëndoshë e mirë. Ahmeti sqaroi se incidenti ndodhi rreth orës 07:30 të mëngjesit të datës 7, duke prekur si flotacionin ashtu edhe minierën e Stantërgut.
“Pas kësaj, kemi filluar rregullimin e trafos për me bërë një by-pas, për me i dhënë qasje në minierë. Fatmirësisht, nuk kemi pasur pasoja, minatorët kanë dalë të gjithë shëndoshë e mirë. Para se me ardhë rryma, kanë dalë diku 54 minatorë, diku në ora 02:30. E kemi bërë kyçjen e energjisë elektrike dhe kanë dalë edhe minatorët e tjerë,” u shpreh ai.
Pavarësisht situatës së krijuar, Ahmeti bëri të ditur se procesi i punës brenda minierës po vijon normalisht që nga ndërrimi i parë. Megjithatë, ai theksoi se sektori i flotacionit mbetet jashtë funksionit derisa të përfundojë sanimi i plotë i dëmeve të shkaktuara nga avaria.
“Aktualisht, njësia e flotacionit nuk mund të funksionojë deri sa të bëhet rregullimi i kësaj avarie në tërësi, po fatmirësisht ne mund të funksionojë në minierë. Sot kemi fillu ndërrimi i parë, po zhvillohet punë normale, por flotacioni nuk mundet me funksionu,” deklaroi kryeshefi.
Kryeshefi shtoi se një rast i ngjashëm kishte ndodhur edhe më 14 maj të këtij viti, ndërsa theksoi se për shkaqet dhe dëmet e sakta të incidentit të fundit do të pritet një raport zyrtar nga organet kompetente, përfshirë Policinë, zjarrfikësit, forenzikën dhe inspektorët e KPMM-së.
Ai gjithashtu përmendi se gjatë avarisë së muajit maj, ndërmarrja kishte pasur pajisje rezervë në stok që mundësuan rregullimin brenda shtatë ditëve, por ato rezerva tashmë janë shterur, çka do të ngadalësojë procesin e përpunimit të xehes për shitje.
Sa i përket përgjegjësisë për ngjarjen, Ahmeti theksoi se kjo çështje nuk i takon menaxhmentit ta gjykojë, por do të përcaktohet nga komisione të veçanta hetimore.
Në fund, kreu i “Trepçës” bëri të ditur se ndërmarrja do t'i drejtohet zyrtarisht Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) me një kërkesë për sigurimin e një transformatori të ri dhe pajisjeve përcjellëse për të zëvendësuar ato të dëmtuarat.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: