Sport
Alarm në Gjermani: Bayern Munich kërkon veprim urgjent pas humbjes së talenteve si Erblin Osmani
Reklamë e Sponsorizuar
Drejtori i zhvillimit të talenteve te Bayern Munich, Jochen Sauer, ka ngritur alarmin për një fenomen shqetësues që po prek futbollin gjerman: largimin e lojtarëve të talentuar, të lindur dhe rritur në Gjermani, drejt përfaqëseve të tjera kombëtare. Në këtë listë të gjatë, Sauer ka veçuar edhe rastin e mesfushorit të talentuar të Bayernit, Erblin Osmani, i cili ka vendosur të mbrojë ngjyrat e Kosovës.
Gjatë një interviste për “SPOX”, zyrtari i klubit bavarez shpjegoi se Gjermania po përballet me një konkurrencë të ashpër ndërkombëtare. Ai përmendi emra të njohur si Kenan Yildiz dhe Can Uzun (Turqi), Josip Stanišić (Kroaci), Paul Wanner (Austri) dhe Malik Tillman (SHBA), si dëshmi se sistemi gjerman po humb kontrollin mbi lojtarët që vetë i ka formuar. Sipas Sauerit, kjo situatë kërkon një reagim të menjëhershëm nga autoritetet futbollistike gjermane.
Sauer theksoi veçanërisht rastin e 17-vjeçarit Erblin Osmani, i cili, pavarësisht se ka lindur në Mynih dhe është një produkt i pastër i akademisë së Bayernit, tashmë është bërë pjesë e Kombëtares A të Kosovës. Osmani, i cili shkroi historinë duke u bërë debutuesi më i ri për “Dardanët”, kaloi nëpër grupmoshat e reja të Gjermanisë përpara se të merrte vendimin përfundimtar për të përfaqësuar Kosovën.
Ky mesfushor premtues, i cili debutoi në Bundesligë gjatë muajit mars dhe ka nënshkruar një kontratë afatgjatë me kampionët gjermanë, cilësohet nga drejtuesit e Bayernit si një prej talenteve më të spikatura të akademisë së tyre. Megjithatë, Sauer beson se problemi shkon përtej zgjedhjeve individuale të lojtarëve.
Sipas drejtorit të Bayernit, sfida kryesore qëndron te vështirësia e tranzicionit nga futbolli i të rinjve drejt atij profesionist. Ai bën thirrje që futbolli gjerman të krijojë hapësira më të mëdha dhe mundësi reale për lojtarët e rinj, në mënyrë që ata të zhvillohen brenda sistemit vendor dhe të mos detyrohen të kërkojnë rrugë të tjera për të bërë karrierë në nivelin ndërkombëtar.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: