Kronikë
Dramë në minierën e Stan Tërgut: Mbi 60 minatorë të ngujuar, kërkohet ndërhyrje urgjetë dhe hetim rrënjësor
Reklamë e Sponsorizuar
Një situatë dramatike po zhvillohet në minierën e Stan Tërgut, ku mbi 60 minatorë kanë mbetur të bllokuar në thellësi të tokës, në nivelet 8, 9, 10 dhe 11, që arrijnë deri në 645 metra nën sipërfaqe. Ekipet e emergjencës janë mobilizuar maksimalisht për të hapur rrugëdalje të sigurta dhe për të nxjerrë punëtorët shëndoshë e mirë nga nëntoka.
Instituti për Hulumtime dhe të Drejtat e Njeriut (IHDNj) ka bërë thirrje për një reagim të shpejtë dhe profesional, duke theksuar se çdo sekondë është vendimtare për jetën e të ngujuarve. Instituti ka kërkuar që operacioni i shpëtimit të zhvillohet me koordinim të plotë për të garantuar sigurinë e minatorëve gjatë tentativës së tyre për t'u evakuuar përmes rrugëve emergjente.
Përtej aksionit të shpëtimit, IHDNj kërkon nga Prokuroria kompetente hapjen e një hetimi të pavarur dhe gjithëpërfshirës. Qëllimi është të sqarohet nëse incidenti është pasojë e neglizhencës institucionale, problemeve teknike, apo dështimit të pajisjeve të sigurisë. Instituti kërkon që, nëse konstatohen shkelje të rregullave të punës, përgjegjësit të përballen me pasojat ligjore.
Ky incident ka rihapur debatin për kushtet e rënda dhe rreziqet e përditshme me të cilat përballen minatorët në Kosovë. IHDNj rikujton hulumtimin e tyre të mëparshëm, “Punëtorët e padukshëm të Nëntokës”, ku janë dokumentuar sfidat ekstreme, si ekspozimi ndaj gazrave, pluhurit dhe ngarkesave të rënda fizike, të cilat kërcënojnë vazhdimisht shëndetin e punonjësve.
Në vijim, pritet një vlerësim i detajuar i gjithë infrastrukturës së minierës. IHDNj insiston që pas sigurimit të jetës së minatorëve, të kryhet një kontroll rigoroz i standardeve të sigurisë dhe procedurave emergjente, për të parandaluar përsëritjen e situatave të tilla të rrezikshme në të ardhmen. Për momentin, i gjithë fokusi mbetet te nxjerrja e sigurt e 64 minatorëve nga nëntoka.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: